Ne të gjithë krijojmë marrëdhënie me pritshmëri të larta. Dëshirojmë lidhje që zgjasin në kohë, që ndërtohen mbi besim, admirim dhe dashuri të ndërsjellë.
Shpesh, në përpjekje për të kuptuar nëse jemi vërtet të përshtatshëm me personin që kemi në krah, i drejtohemi astrologjisë. Sipas saj, çdo shenjë e horoskopit ka modele të caktuara sjelljeje në dashuri, disa prej të cilave mund ta bëjnë një lidhje më sfiduese.
Dashi
Dashi hyn në një marrëdhënie me energji dhe pasion, por shpesh sillet sikur është ende beqar. Ka tendencën të marrë vendime dhe të bëjë plane pa u konsultuar, duke pritur që tjetri të përshtatet natyrshëm me ritmin dhe dëshirat e tij. Pret që partneri t’i kuptojë nevojat pa shumë shpjegime, ndërsa vetë nuk është gjithmonë i gatshëm të bëjë kompromise. Në aspektin e pasionit mund të jetë shumë i mirë, por kur vjen puna te komunikimi emocional dhe zgjidhja e problemeve, shpesh zgjedh të tërhiqet. Në vend që të përballet me pakënaqësitë, mund të preferojë largimin, duke lënë pas paqartësi.
Virgjëresha
Virgjëresha shpesh drejtohet nga pasiguritë e veta, të cilat mund të shfaqen në formën e xhelozisë apo nevojës për kontroll. Edhe pse është e vetëdijshme për këto prirje, nuk e ka gjithmonë të lehtë t’i ndryshojë. Ka aftësinë të fshehë dobësitë dhe emocionet e saj, duke mbajtur brenda pakënaqësitë derisa ato të shpërthejnë papritur. Dëshira për të kontrolluar situatat dhe për të pasur fjalën e fundit mund të krijojë tension në çift. Në debate, di të argumentojë me zgjuarsi, shpesh duke e vendosur veten në pozicionin e të pafajshmes, ndërsa partneri përfundon duke mbajtur peshën e fajit.
Shigjetari
I fortë në karakter dhe me bindje të palëkundura, Shigjetari mund të bëhet dominues në marrëdhënie. Kërkon liri dhe hapësirë personale, por njëkohësisht mund të shfaqë xhelozi dhe posesivitet ndaj partnerit. Kjo kontradiktë shpesh krijon tension. Nuk shquhet për durimin dhe, kur zemërohet, mund të përdorë fjalë të pamenduara që lëndojnë, edhe pse më vonë mund të mos i qëndrojë plotësisht atyre që ka thënë. Intensiteti i tij emocional e bën marrëdhënien dinamike, por edhe të mbushur me ulje-ngritje.
