Lajme

Mesazh i prerë i SHBA-së nga OKB-ja, eksperti austriak ‘godet’: Serbia s’ka rrugë tjetër veç njohjes së Kosovës

Sikurse edhe në të kaluarën, Kosova dhe Serbia kanë drejtuar akuza ndaj njëra-tjetrës në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, të mbajtur të enjten në Nju Jork, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre se, normalizimi i marrëdhënieve është rruga e vetme përpara për dy vendet.

“Presidenti [amerikan, Donald] Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka thënë zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

E në lidhje me këto deklarata dhe paralajmërime të SHBA-së në OKB, foli për “Bota sot” eksperti austriak, Gunther Fehlinger.

Sipas tij, ky ishte një paralajmërimi i qartë për Serbinë dhe tregon se është një moment vendimtar tani.

Në këtë pikë, përmendi edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, si dhe qasjen pro-ruse të kësaj të fundit.

Image
Gunther Fehlinger.

“Deklarata e fundit e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të lexohet qartë si paralajmërim për Serbinë, aleatin e Iranit në Ballkan. Kur Donald Trump bën thirrje për një “angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku”, kjo nuk është gjuhë neutrale. Është një moment vendimi.

Nuk ka simetri këtu. Kosova është një demokraci pro-amerikane, pro-NATO që e mbështet Serbinë në Gaza, Iranin dhe Bordin e Paqes.

Serbia është një aktor armiqësor ndaj Amerikës dhe vazhdon të rreshtohet me Rusinë dhe Kinën. Ky realitet duhet të adresohet më në fund me qartësi.

Serbia tani përballet me një zgjedhje që nuk mund ta shmangë më. Ajo duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës – plotësisht, formalisht dhe në mënyrë të pakthyeshme – ose do të përballet me izolim të plotë politik dhe ekonomik nga Perëndimi. Nuk ka rrugë të tretë. Faji ndalet këtu.Epoka e balancimit midis Lindjes dhe Perëndimit ka mbaruar. Njohja është çmimi i integrimit. Refuzimi do të thotë izolim.”, deklaroi ai.

Ndërsa, Fehlinger kërkoi nga Kosova që urgjentisht të dalë nga bllokadat politike, derisa tha se vonesa e zgjedhjes së presidentit dëmton besueshmërinë institucionale.

Krahas kësaj, potencoi se, Trump tani duhet të veprojë – jo me fjalë, por me vendime.

“Në të njëjtën kohë, Kosova duhet urgjentisht të rregullojë shtëpinë e saj. Bllokimi aktual institucional dhe bllokada politike janë të papranueshme në një moment kaq vendimtar gjeopolitik. Kosova duhet të veprojë si një shtet funksional. Kjo përfshin, para së gjithash, zgjedhjen e një Presidenti pa vonesë dhe rivendosjen e besueshmërisë së plotë institucionale. Stabiliteti, uniteti dhe lidershipi i qartë janë thelbësorë nëse Kosova do të përparojë drejt NATO-s dhe sistemit euroatlantik.

Amerika është Mbrojtësja e Kosovës, Spanja një aktor armiqësor ndaj Kosovës që nuk e njeh. GJITHÇKA VARET NGA Amerika. Donald Trump tani duhet të veprojë – jo me fjalë, por me vendime. Ai duhet të trajtojë çështjen e vendeve që nuk e njohin dhe të mobilizojë mbështetje brenda NATO-s për ta integruar më në fund Kosovën në Aleancë”.

Ndër të tjera, eksperti austriak, përmendi samitin e ardhshëm të NATO-s, e ku në këtë pikë përmendi domosdoshmërinë që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

Rrjedhimisht, ai tha se, Kosova ka qëndruar gjithmonë pranë SHBA dhe për këtë është koha që ta mbajë premtimin dhe ta anëtarësoj shtetin tonë në NATO.

“Samiti i ardhshëm i NATO-s në Turqi këtë korrik është momenti. Kosova duhet të sillet në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO – në mënyrë vendimtare dhe të pakthyeshme brenda Partneritetit për Paqe dhe me një Plan Veprimi të qartë për Anëtarësim. Kjo do të stabilizonte Ballkanin, do të forconte NATO-n dhe do të dërgonte një sinjal global se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pranë aleatëve të tyre.

Kosova gjithmonë ka qëndruar me Amerikën. Tani Amerika duhet ta japë premtimin.

Mesazhi është i thjeshtë dhe urgjent. Serbia duhet ta njohë Kosovën ose të përballet me izolim. Kosova duhet të rivendosë rendin, të zgjedhë një President dhe të veprojë si një shtet serioz. Dhe Donald Trump duhet ta udhëheqë dhe ta fusë Kosovën në NATO këtë korrik.

Mjaft me vonesa. Mjaft me paqartësi. Kosova në NATO tani”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

Të Ngjashme