Lajme

Mesazhi i fortë i ushtarakut britanik për KFOR-in në Kosovë, zbërthehen ‘prapaskenat’ e tij

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndonëse Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime dhe aksione, kundër grupeve kriminale e korruptive në këtë pjesë.

Megjithatë, forcat e KFOR vazhdojnë të jenë prezente atje, derisa është rritur edhe numri i tyre.

Së fundi, për këtë çështje foli edhe emisari special i Mbretërisë së Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Stuart Peach.

Ai tha se fakti që në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë forcat e NATO-s është 25 vite pas luftës është një fakt tepër trishtues. Këto komente ushtaraku britanik i ka bërë për “forcenews.com” në një artikull kushtuar vendosjes së fundit të një numri të madh të trupave britanike në Kosovë për një periudhë të caktuar ushtrimesh.

“Fakti që NATO ka një forcë në Kosovës 25 vjet pas përfundimit të luftës është një fakt tepër pikëllues”, ka thënë Peach.

Megjithatë thotë Peach, se KFOR është i nevojshëm në Kosovë për të respektuar Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara.

“Por ne kemi nevojë për forcë për të respektuar kushtet e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai tutje.

Ekspertët e sigurisë treguan mesazhet që përçoi ushtaraku britanik dhe rëndësinë e prezencës së KFOR-it në Kosovë.

Dashevci: Kemi NATO/ KFOR si reagues të tretë në Kosovë, kjo për ne do të thotë siguri dhe paqe shtesë

E në lidhje me këtë çështje, foli edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, derisa theksoi rëndësinë e e prezencës së KFOR-it në Kosovë.

Krahas kësaj, ai u shpreh se që nga përfundimi i luftës shteti ynë po ballafaqohet me luftë speciale të Serbisëe Rusisë.

Image
Arben Dashevci

Po ashtu, tha se institucionet e sigurisë së Kosovës janë të konsoliduara, por që prania e KFOR është paqe shtesë dhe se ende kemi nevojë për ta.

Republika e Kosovës tash e 24 vite po ballafaqohet me një luftë speciale të dirixhuar nga Rusia dhe Serbia.

Pra, kemi një problem që ishte dashur të përfundonte tash më.

Problemi mbetet ende për fat të keq dhe është sfidë për institucionet tona të sigurisë, mendoj unë.

Por, Republika e Kosovës ka institucionet e sigurisë të konsoliduara dhe me kapacitete të plota për veprim në çdo cep të vendit.

Kemi NATO/ KFOR si reagues të tretë në Kosovë, kjo për ne do të thotë siguri dhe paqe shtesë, pra ashtu siç e ka cekur i nderuari ne kemi nevojë ende për KFOR duke pasur parasysh se në çfarë sfidash po kalon bota mbarë, Evropa, Ballkani dhe shteti i Kosovës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti tha se viti 2024 është dhe do vazhdojë të jetë vit i sfidave të sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Gjithashtu, shtoi se derisa nuk ka zgjidhje politike, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë.

“Viti 2024 mendoj unë është vit i sfidave në aspekt të sigurisë globale, andaj KFOR do të thotë paqe dhe siguri shtesë për ne e regjionin, pra Ballkanin e trazuar.

Për derisa nuk ka zgjidhje politike, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë, kjo situatë kërkon forca shtesë edhe të KFOR-it. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se Serbia me përkrahjen e Rusisë janë faktorë destabilizues jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Financimi i strukturave paralele të sigurisë, shëndetësisë, arsimimit dhe strukturave tjera nga ana e Serbisë jo vetëm që është pengesë për zhvillimin e procese të demokracisë, por edhe faktor që destabilizon të gjitha përpjekjet që të arrihet diçka e mirë dhe e qëndrueshme në Kosovë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Hoxha: Intervenimi ushtarak i NATO-s nuk është përmbyllur me vendimet politike

Kurse, edhe ushtaraku Hafir Hoxha zbërtheu mesazhin që dërgoi Peach, ku tha se tregon që ka mungesë që angazhimit politik.

Image
Hafir Hoxha

“Mesazhi është se ka munguar angazhimi dhe diplomacia politike që pas intervenimit ushtarak nuk është dashur të kaloj kjo kohë aq e gjatë, pa u përmbyllur problemi politik mes Kosovës dhe Serbisë”

Në këtë rast, Hoxha në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se intervenimi ushtarak i NATO-s nuk është përmbyllur me vendimet politike.

Pra, intervenimi ushtarak është dashur të mbyllet me diplomaci politike, ku BE nuk ka qenë sa duhet e qartë dhe e vendosur që palët të detyrohen në një marrëveshje, që do të nënkuptonte stabilitet në rajon dhe largimin e forcave ushtarake të NATO-s.

Për momentin, intervenimi ushtarak i NATO-s nuk është përmbyllur me vendimet politike, prandaj janë shpenzime të tepruara dhe është breng me vend që politika ka detyrua ndërhyrje ushtarake pa pozicion të qartë politik përfundimtar!” – përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.