Lajme

Mesazhi i Haradinajt për mërgatën: Reflektim, unitet dhe vendime për të ardhmen e Kosovës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u është drejtuar mërgimtarëve me një letër me rastin e pushimeve të fundvitit, ku i ka ftuar mërgimtarët për reflektim dhe angazhim në proceset politike në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Haradinaj thekson se krahas vizitave familjare, festat e fundvitit do të sjellin edhe “një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit”.

Ai nënvizon se synimi mbetet një Kosovë që pasqyron “ëndrrat e përbashkëta”, ku vlerat e lirisë respektohen dhe ku institucionet tregojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Haradinaj kritikon qasjen e Qeverisë në mbështetjet financiare, duke thënë se Kosova ka nevojë për angazhim institucional, e jo sipas tij për lëmoshë prej 100 eurosh që, siç tha ai, shërben vetëm për zgjatjen e pushtetit.

Ai u bën thirrje mërgimtarëve të diskutojnë brenda familjeve të tyre dhe të marrin vendime për të ardhmen e vendit.

Haradinaj rikujton kontributin e mërgatës para dhe pas luftës, duke theksuar se uniteti familjar dhe kombëtar është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.