Dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon të mbetët pa një marrëveshje finale dhe kjo për shkak se kjo e fundit nuk ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara dhe ka vazhduar me veprime destabilizuese ndaj Kosovës.
Marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, të njohura si Marrëveshjet e Brukselit, janë një seri marrëveshjesh politike dhe administrative që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008.
Këto marrëveshje kanë për qëllim të krijojnë një bazë për bashkëpunim në fusha të ndryshme si dokumentet e udhëtimit, regjistrimi i automjeteve, arsimi dhe mbrojtja e komuniteteve pakicë, duke u përpjekur të zbutin tensionet historike dhe të promovojnë stabilitetin rajonal.
Në vitin 2023, palët ranë dakord për një marrëveshje të re, të njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila synon të përforcojë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të vendosë hapa të qartë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
E një rikujtesë për këto marrëveshje e bëri së fundmi Presidenti francez Emmanuel Macron, në urimin e tij për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai tha se zbatimi i Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit është thelbësor për avancimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian dhe për forcimin e stabilitetit rajonal.
Përmes këtij mesazhi, Macron nënvizoi rëndësinë e përkushtimit të të dyja vendeve ndaj dialogut dhe marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së.
Haziri: Mesazhi i presidentit francez Macron ishte i qartë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Nexhat Haziri.
Analisti ka dashur të thotë se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit është themeli për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Ai nënvizon se pa normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, nuk mund të arrihet integrimi evropian apo njohja ndërkombëtare e Kosovës.
“Letra e urimit e presidentit francez Macron drejtuar presidentes Osmani me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në të cilën Macron rikujton se raportet me Francën, por edhe me Bashkimin Evropian, avancohen dhe ndërtohen duke zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe sekuencimin e saj në Ohër, që nënkupton marrëdhënie normale dhe fqinjësore me Serbinë. Pra, ky është një obligim që ka marrë Kosova, dhe çdo hap që merret drejt anëtarësimit në KiE dhe avancimit drejt bashkimit me bllokun, kalon nga kjo marrëveshje. Sigurisht se edhe Serbia është e obliguar dhe po i kërkohet që, në rast se dëshiron të përparojë në agjendën e anëtarësimit në bllok, duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, që poashtu nënkupton përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit, ndërmjet saj dhe Kosovës”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, analisti shton që Institucionet e reja duhet ta marrin seriozisht mesazhin e Macronit dhe të kuptojnë se Kosova nuk mund të avancojë ndërkombëtarisht pa filluar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
“Andaj, institucionet e reja duhet që ta marrin këtë mesazh me shumë seriozitet dhe të reflektojnë mbi situatën që është para nesh, se nuk do të ketë forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, pra anëtarësime në organizata ndërkombëtare pa filluar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Mesazhi i presidentit francez Macron ishte i qartë, dhe tani Kosova duhet të veprojë”, foli Haziri për “Bota sot”.
Gashi: Mesazhi i Macron sinjalizon vazhdimësinë e qasjes evropiane
Ndërsa, njohësi për çështje politike, Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që letra e urimit e Macronit për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës përmban një mesazh të qartë politik: normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian.
Gjithashtu ai shton që kjo rrit presionin diplomatik mbi Serbinë, por vendos edhe Kosovën përballë nevojës për të treguar konstruktivitet dhe besueshmëri ndërkombëtare.

Eduard Gashi
“Letra e urimit nga Emmanuel Macron drejtuar presidentes Vjosa Osmani, përveç simbolikës së 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përmban edhe një mesazh të qartë politik: normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi mbetet prioritet strategjik për partnerët evropianë.
Mesazhi i Macron sinjalizon vazhdimësinë e qasjes evropiane, ku stabiliteti rajonal dhe dialogu politik janë të ndërlidhura ngushtë me perspektivën evropiane të të dyja palëve. Duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, Franca – si një nga shtetet kyçe të BE-së – i dërgon Kosovës dhe Serbisë mesazhin se procesi i dialogut nuk është opsional, por kusht themelor për përparim politik dhe integrues.
Në praktikë, kjo rrit presionin diplomatik, veçanërisht mbi Serbinë, për të shmangur strategjinë e zvarritjes, por njëkohësisht e vendos Kosovën përballë nevojës që të tregojë konstruktivitet dhe besueshmëri ndërkombëtare”, foli njohësi.
Zbatueshmëria reale e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit
Ndër të tjera ai shton që pa bashkëpunim dhe besim reciprok midis Kosovës dhe Serbisë, marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit nuk do të zbatohen efektivisht dhe nuk do të sjellin rezultate konkrete.
“Zbatueshmëria e këtyre marrëveshjeve ka qenë deri tani e kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së besimit reciprok, interpretimeve të ndryshme politike dhe mungesës së mekanizmave të fortë ndëshkues. Pa një vullnet të qartë politik nga të dyja palët, marrëveshjet rrezikojnë të mbeten më shumë dokumente politike sesa instrumente reale zgjidhjeje”, potencoi ai.
Roli i Bashkimit Evropian
Në fund, njohësi thotë se pa veprime konkrete të BE-së dhe përkushtim strategjik nga Kosova dhe Serbia, mesazhet politike nuk do të sjellin rezultate reale.
“Bashkimi Evropian ka një rol kyç dhe të pazëvendësueshëm. Përtej ndërmjetësimit diplomatik, BE-ja duhet të lidhë drejtpërdrejt zbatimin e marrëveshjeve me përfitime konkrete: përparim në procesin e anëtarësimit, fonde zhvillimore, liberalizim të mëtejshëm dhe mbështetje institucionale. Pa këto instrumente konkrete, ndikimi i mesazheve politike – sado të forta të jenë – mbetet i kufizuar.
Mesazhi i Macron është i rëndësishëm politikisht dhe diplomatikisht, por suksesi i tij do të varet nga gatishmëria e BE-së për të kaluar nga deklaratat në veprime konkrete, si dhe nga aftësia e Kosovës dhe Serbisë për të parë dialogun jo si humbje politike, por si investim strategjik për stabilitet dhe të ardhme evropiane”, përfundoi njohësi për çështje politike, Eduard Gashi.
