Politologu dhe analisti politik Fahredin Majkovci ka vlerësuar se deklarata e fundit e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën përbën një sinjal të qartë për drejtimin që pritet të marrë dialogu Kosovë–Serbi.
Duke komentuar deklaratën se “Trump pret zotim të qartë nga Kosova dhe Serbia se do të punojnë së bashku”, ai thekson se kjo vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe diplomatik.
“Kjo deklaratë duhet parë në një kontekst më të gjerë, ku Kosova fillimisht duhet të kalojë me sukses sfidat e brendshme, përfshirë zgjedhjen e Presidentit, duke shmangur krijimin e krizave të reja politike në një kohë të trazirave globale”, ka deklaruar Majkovci.
Sipas tij, mesazhet e United States në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit janë të qarta dhe kërkojnë stabilitet të brendshëm dhe bashkërendim të plotë me Uashingtonin.

Politologu Fahredin Majkovci
“SHBA po theksojnë nevojën për normalizim dhe përqendrim në dialogun me Serbinë, ndërsa njëkohësisht mbështesin reduktimin e rolit të UNMIK-ut, si një sinjal i konsolidimit të shtetësisë de facto të Kosovës”, është shprehur ai, duke e cilësuar këtë si zhvillim pozitiv.
Duke folur për rolin e ardhshëm të SHBA-së, Majkovci vlerëson se deklarimet amerikane janë një rikonfirmim i angazhimit të tyre në rajon.
“Këto qëndrime sinjalizojnë se Uashingtoni mbetet aktor kyç dhe garantues strategjik i dialogut Kosovë–Serbi, me potencial për përfshirje më të thelluar në fazat vendimtare”, thekson ai.
Në këtë drejtim, ai sugjeron që Kosova të jetë më aktive dhe e koordinuar në raport me aleatin kryesor.
“Kosova duhet të shfaqë interes të qartë dhe të qëndrueshëm për përfshirjen e fuqishme të SHBA-së në fazën përmbyllëse të dialogut, si element thelbësor për finalizimin e procesit dhe avancimin e njohjes së plotë të shtetësisë”, deklaron Majkovci.
Ai shton se institucionet vendore duhet të ndërtojnë një strategji të qartë dhe afatgjatë për këtë qëllim.
“Është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të kenë një strategji të unifikuar për të arritur këto objektiva”, thekson ai.
Sa i përket mundësisë së iniciativave të reja nga Donald Trump, Majkovci shprehet se një skenar i tillë mbetet i hapur.
“Nuk mund të përjashtohet një iniciativë e re nga Trump, por ajo do të varet nga zhvillimet gjeopolitike dhe prioritetet e politikës së jashtme amerikane në raport me rajonin”, përfundon ai, duke shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të forcojë raportin strategjik me SHBA-në në çdo rrethanë.
