Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka prekur zemrat e ndjekësve të saj në rrjetet sociale, duke ndarë një moment tejet emocional kushtuar gjyshes së saj, Besë Sahatçiu.
Përmes një “story” në Instagram, artistja shprehu hapur dashurinë dhe mirënjohjen për figurën e gjyshes, duke theksuar se lidhja me familjen mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të jetës së saj, pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale.
Rita tregoi se videoja e gjyshes i ishte dërguar nga motra e saj, Elena, dhe se ky gjest i vogël i kishte rikthyer ndjeshëm emocionet dhe mallin për momentet familjare, të cilat shpesh i mungojnë për shkak të karrierës intensive ndërkombëtare.
Në mesazhin e saj, këngëtarja shkroi:
“Të dua, gjyshe. Je aq e lezetshme dhe e mirë, më bën gjithmonë të qesh. Jam shumë mirënjohëse që të kam ende dhe që i dëgjoj të gjitha historitë e tua. Faleminderit motrës që ma dërgoi këtë video. Më mungojnë vërtet shumë momente familjare, por jam me fat që i kam këto kujtime dhe kohën që ende e ndajmë bashkë. Jam shumë mirënjohëse për këtë. Vlerësoni njerëzit tuaj të dashur, derisa janë ende gjallë”.

