Një person i cili po e vuante paraburgimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, ka vdekur në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Media mëson se bëhet fjalë për Korab Kabashin, i cili dyshohej për shitje, blerje dhe posedim të narkotikëve.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), gjatë ditës së djeshme, i paraburgosuri kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.
Ai ishte trajtuar gjatë së mërkurës nga personeli shëndetësor i burgut, por gjendja e tij nuk kishte shënuar përmirësim.
Sipas ShKK-së, për shkak të nevojës për konsultim specialistik, mjeku kujdestar kishte kërkuar që K.K. të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë.
“Fillimisht, ai ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK“, thuhet në njoftimin e ShKK-së.
Ndërkaq, theksohet se pas pranimit në QKUK, menjëherë kishin nisur procedurat diagnostikuese dhe trajtimi nga stafi mjekësor.
“Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, bëri me dije ShKK në njoftim.
Sipas këtij institucioni, organet kompetente tashmë janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.
