Bota

Microsoft punëson Sam Altman pasi u shkarkua nga OpenAI

Microsoft njoftoi të hënën se ka punësuar Sam Altman, pasi ai u shkarkua nga pozicioni i tij si CEO i OpenAI.

Kryetari dhe CEO i Microsoft-it, Satya Nadella shkroi në X, se Microsoft ishte “jashtëzakonisht i emocionuar për të ndarë lajmin se Sam Altman do t’i bashkohet Kompanisë për të udhëhequr një ekip të ri për kërkime rreth AI”.

Altman tha se “misioni vazhdon”, në përgjigje të Nadella në X.

OpenAI e shkarkoi Sam Altman, 38 vjeç, të premten, duke thënë se kishte humbur besimin tek ai, por nuk specifikoi se për çfarë ai pretendohet se nuk ka qenë i sinqertë.

Ndërkohë në vendin e tij u emërua përkohësisht shqiptarja Mira Murati.

Siç thuhet në njoftimin e kompanisë, Murati ka luajtur një rol kritik në evoluimin e OpenAI në një udhëheqës global të AI.

“Duke pasur parasysh mandatin e saj të gjatë dhe angazhimin e ngushtë me të gjitha aspektet e kompanisë, duke përfshirë përvojën e saj në qeverisjen dhe politikën e AI, bordi beson se ajo është e kualifikuar në mënyrë unike për këtë rol dhe parashikon një tranzicion të pandërprerë ndërkohë që kryen një kërkim zyrtar për një CEO të përhershëm.“, tha kompania.



/tiranapost