Gjilan – Larg vendlindjes, mes ritmit të jetës së mërgimit dhe mallin që nuk shuhet kurrë për Gjilanin e Kosovën, Midushe Isufi po e ndërton me përkushtim botën e saj krijuese, duke e kthyer fjalën në strehë emocionesh, kujtimesh dhe reflektimi njerëzor. Për të, të shkruarit nuk ka qenë vetëm pasion, por mënyrë jetese, një lidhje shpirtërore me identitetin, rrënjët dhe përvojat që koha nuk arrin t’i zbehë.
Në një kohë kur rrëfimet e suksesit shqiptar në mërgatë po bëhen frymëzim për brezat e rinj, Midushe Isufi po dëshmon se talenti, përkushtimi dhe vullneti i pathyeshëm mund ta shndërrojnë një vajzë shqiptare në histori suksesi në zemër të Evropës.
Me një dhunti të rrallë krijuese, me kulturë profesionale dhe me një rrugëtim të ndërtuar mbi sakrificë, dije dhe ambicie, ajo ka arritur të fitojë respekt dhe vlerësim në institucionet perëndimore, duke bërë krenare jo vetëm familjen e saj, por edhe shqiptarët kudo në botë.
E lidhur fort me rrënjët, gjuhën dhe identitetin shqiptar, Midushe Isufi mbetet shembull i gruas moderne shqiptare që edhe larg vendlindjes nuk harron prejardhjen, por e kthen suksesin personal në vlerë dhe përfaqësim dinjitoz të komunitetit shqiptar në diasporë.
Në heshtjen e netëve të gjata dhe në sfidat e jetës larg atdheut, ajo ka gjetur forcën për të shkruar, për të rrëfyer dhe për të lënë gjurmë përmes artit të fjalës. Krijimtaria e saj vjen si dëshmi e një bote të brendshme të pasur me ndjeshmëri, përjetime dhe qëndresë, ndërsa libri i saj i parë “Asnjëherë Fund, Gjithmonë Fillim” shpalos jo vetëm historinë personale të autores, por edhe rrugëtimin emocional e shpirtëror të shumë grave që përballen me jetën, sfidat dhe rilindjen e vetvetes.
Libri është një rrëfim i ndërtuar mbi net pa gjumë, mbi reflektime të thella dhe mbi guximin për të folur hapur për ngritjet, rëniet dhe forcën e gruas shqiptare. Përmes një gjuhe emocionale dhe motivuese, autorja përcjell mesazhin se asnjë fund nuk është i përhershëm dhe se çdo grua ka forcën të ringrihet edhe atëherë kur bota pret dorëzimin e saj.
Edhe pse jeton në mërgim, Midushe Isufi mbetet e lidhur ngushtë me Gjilanin dhe Kosovën, me kujtesën e vendlindjes, me kulturën dhe me gjuhën shqipe, të cilën vazhdon ta mbajë gjallë përmes krijimtarisë së saj. Ajo përfaqëson një pjesë të rëndësishme të grave shqiptare në diasporë, të cilat larg atdheut nuk e humbin identitetin, por përkundrazi e forcojnë atë përmes artit, punës dhe përkushtimit.
Promovimi i librit të saj në Kosovë dhe planet për botimin edhe në gjuhën frënge në Belgjikë dhe Zvicër dëshmojnë ambicien dhe vizionin e saj për ta çuar zërin e gruas shqiptare përtej kufijve, duke e kthyer krijimtarinë në urë lidhëse mes mërgatës dhe atdheut.
Midushe Isufi nis një kapitull të ri profesional pranë Ambasadës së Belgjikës në Zvicër
Midushe Isufi ka ndarë me publikun një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, duke bërë të ditur angazhimin e saj të ri pranë Ambasadës së Belgjikës në Zvicër. Ajo ka theksuar se Belgjika ishte vendi që i hapi dyert që në moshën 15-vjeçare, falë përkushtimit në arsim dhe integrimit të saj në institucione të ndryshme shtetërore.
Sipas Isufit, statusi profesional si ndërmjetësuese dhe këshilluese në procedura ekonomike, juridike dhe sociale do t’i mundësojë të vazhdojë realizimin e aspiratave dhe ëndrrave të saj profesionale, duke e konsideruar këtë arritje si një tjetër hap të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e saj në mërgatë./rajonipress/





