LifeStyle

Mijëra qytetarë vizituan edicionin e tetë të panairit të dermokozmetikës, “Medical & Beauty Fair”

Në datat 2-3-4 Maj u zhvillua në Pallatin e Kongreseve “Medical & Beauty Fair”, panairi më i madh kushtuar kujdesit shëndetësor dhe dermokozmetikës.

Dhjetëra kompani të suksesshme në tregun shqiptar që ofrojnë shërbime në fushat farmaceutike, okulistike, dermokozmetike, estetike, dietologji mirëpriten qindra klientë, blerës potencialë dhe vizitorë në stendat e tyre.

Tre ditë intensive për pjesëmarrësit dhe të dobishme për qytetarët, të cilët patën mundësinë të realizonin falas ekzaminime dhe konsulta me profesionistë të shëndetit, si dhe të përfitonin nga uljet e mëdha të çmimeve në produktet e ekspozuara.

Ditën e parë të panairit u mbajt edhe forumi shkencor: “Sfidat dhe inovacioni teknologjik në kujdesin shëndetësor në Shqipëri”, ku profesionistë të shëndetit referuan para një auditori të specializuar. Në fjalën e saj përshëndetëse, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Entela Ramosaçaj foli për inovacionin teknologjik në kujdesin shëndetësor.

Vlerë e shtuar e këtij edicioni ishte edhe organizimi i Kongresit të Parë Mbarëshqiptar i Dermatologjisë dhe Venerologjisë. Sipari i këtij aktiviteti u çel nga Prof. Ermira Vasili, në të cilin u trajtuan tematika sëmundjet inflamatore dhe ato gjenetike të lëkurës.

Kongresi pati synim të bëjë së bashku profesionistët e shëndetit dhe aktorë të tjerë, shqiptarë e të huaj, në një hapësirë të përbashkët për të ndarë përvojat, perspektivat, qasjet e reja, si dhe për të adresuar sfidat.

Medical & Beauty Fair u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me Shoqatën Shqiptare të Dermatologjisë dhe Venerologjisë.