Lajme

Miljkoviq pranon fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it – dënohet me dy vite burgim e gjobë me mijëra euro

Është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe Ljubisa Miljkoviqit, i akuzuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023.

Në seancën fillestare, prokurori i rastit lexoi aktakuzën, e cila e ngarkon Miljkoviqin me dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë, ku kryhen vepra penale dhe huliganizëm”.

Për veprën e parë, Miljkoviq u dënua me dy vite burgim, ndërsa për veprën e dytë me gjashtë muaj burgim, dënim i cili i zëvendësohet me një gjobë prej 14 mijë euro.

Prokurori Bekim Kodraliu tha se i pandehuri, në koordinim me persona të tjerë, kishte marrë pjesë në veprime të dhunshme që kishin për synim pengimin e vendosjes së rendit kushtetues në Kosovë.

“I pandehuri kishte filluar të ushtronte dhunë të pakontrolluar me mjete të forta dhe armë zjarri, ku u lënduan seriozisht disa zyrtarë të KFOR-it. Janë shkaktuar dëme materiale, dëmtim i veturave zyrtare, lëndim i gazetarëve, si dhe djegie e plotë e një veture të medias, duke krijuar rrezik të madh”, theksoi Kodraliu.

Gjatë seancës, Miljkoviq deklaroi se pranimin e fajësisë e bëri në mënyrë vullnetare, pa asnjë formë presioni. /teve1.info/