3
Armatosja intensive e shteteve të Ballkanit gjatë muajve të fundit ka ngjallur polemika të mëdha dhe shqetësime për rritjen e rrezikut të një konflikti të mundshëm në rajon.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, shprehu pikëpamjet e tij lidhur me situatën e tensionuar të sigurisë në Ballkan.
Maqedonci theksoi se armatimi i Serbisë nuk është një fenomen i ri, por një proces që ka filluar prej vitesh.
Ai sqaroi se Serbia ka realizuar blerje të drejtpërdrejta të armëve nga vende si Rusia, Kina dhe Irani, dhe vazhdon të forcojë arsenalin e saj ushtarak.
Ministri gjithashtu theksoi se Serbia po shfrytëzon industrinë e saj të mbrojtjes për të përfituar ekonomikisht, duke shitur armë dhe pajisje ushtarake edhe në vende të tjera.
“Armatimi i Serbisë nuk është diçka që ka filluar tani, ajo ka vite që ka bërë blerje të drejtpërdrejta nga Rusia, Kina, Irani e vende të tjera, e po vazhdon ta bëjë këtë. E gjithë kjo paraqet një aset për tu shfrytëzuar në raport me hegjemoninë që në vazhdimësi paraqet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo vjen pas çarmatosjes që ka ndodhur si rrjedhojë e luftërave që kanë qenë në Ballkan. Dihet që Serbia ka trashëguar sistemet e armatimit të ish-Jugosllavisë. Këto sisteme kanë qenë të vjetra për tu përdorur. Serbia po e shfrytëzon industrinë e mbrojtjes për përfitime ekonomike, vazhdon të shesë armatime edhe në vendet e treta. Kjo po e bën një forca të rrezikshme për Ballkanin, por edhe po e ndihmon për përfitime ekonomike”, tha Maqedonci në një lidhje të drejtpërdrejtë për Balkan Talks në Euronews Albania.