Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, brenda këtij viti, do të publikojë një udhërrëfyes kombëtar për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, me afate konkrete dhe institucione përgjegjëse, i cili do të jetë i hapur për publikun.
Këtë e bëri të ditur sot Ministri i BPZhR-së, Armend Muja, në Konferencën Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).
Gjatë fjalimit të tij, ministri Muja theksoi se brenda dymbëdhjetë muajve do të reformohet sistemi i inspektimeve, duke kaluar nga kontrolle formale në kontrolle të bazuara në rrezik, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës së panevojshme për bizneset që respektojnë rregullat.
“Deri në vitin 2027, do të ndërtojmë një sistem të plotë të gjurmueshmërisë digjitale, ku çdo produkt mund të ndiqet nga ferma deri në treg, duke rritur transparencën dhe besimin në zinxhirin ushqimor”, tha ministri Muja.
Ndër të tjera, ai theksoi se siguria ushqimore nuk është vetëm një çështje teknike, por një kontratë mes shtetit dhe qytetarit – një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë.
Duke nënvizuar se bujqësia mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë dhe një burim i rëndësishëm i jetesës për mijëra familje në Kosovë, ministri shtoi se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 vlera e shtuar bruto në bujqësi ka arritur mbi 811.5 milionë euro, duke dëshmuar potencialin real të këtij sektori për zhvillim dhe rritje. Sipas tij, këto nuk janë vetëm shifra, por mundësi konkrete për zhvillim rural, punësim dhe rritje të eksportit.
