LifeStyle

Ministria e Drejtësisë i kërkon Klan Kosovës largimin e Atillës nga BBVK

Koordinatorja Kombëtare dhe Grupi Ndërministror kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore ka kërkuar nga Klan Kosova të largojë konkurrentin Atilla Kardesh nga Big Brother VIP Kosova.

Në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, grupi ka publikuar një deklaratë ku kërkon largimin e konkurrentit që hyri mbrëmjen e kaluar në BBVIP.

“Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror reagojnë ashpër ndaj vendimit të televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje, ndaj të cilit deri në shtator të këtij viti ka pasur Urdhër Mbrojtës. Ky vendim përveç të tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje”, theksuan ata në postimin e tyre.

Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kërkon të ndërmerren veprime urgjente:

Vendimin për largim nga emisioni – show televiziv Big Brother personin e denoncuar për dhunë në familje, Atilla Kardesh;

Ndërmarrjen e masave nga Komisioni i Pavarur i Mediave në raport me këtë vendim skandaloz të televizionit Klan Kosova;

Vlerësimin e përgjithshëm të përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë në raport me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës;

Republika e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës ka bërë Konventën e Stambollit pjesë integrale të saj dhe e njëjta mbizotëron mbi legjislacionin vendor. Nisur nga mandati i dhënë sipas kësaj Konvente, respektivisht përgjegjësive institucionale Neni 12 i Konventës së Stambollit – Detyrimet e përgjithshme:

Pika 2. Palët marrin masat e nevojshme legjislative dhe masa të tjera për të parandaluar të gjitha format e dhunës të mbuluara nga objekti i kësaj Konvente nga çdo person fizik ose juridik.

Pika 3. Çdo masë e marrë sipas këtij kapitulli merr në konsideratë nevojat specifike të personave pa mbrojtje për shkak të rrethanave të veçanta dhe i japin prioritet të drejtave të të gjitha viktimave.

Koordinatorja Nacionale dhe përfaqësuesit e grupit ndërministror me qëllim të zbatimit ‘’të masave për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën për çdokënd, veçanërisht gratë, për të jetuar pa dhunë në sferën publike, si dhe në atë private”, tërheqin vëmendjen e televizionit të lartëcekur, në rastin e znj. Drenusha Latifi pjesëmarrëse e emisionit ‘’Big Brother’’ e cila është e mbijetuar e dhunës në familje, dhe e cila ka poseduar Urdhër Mbrojtje (UM) prej ish-bashkëshortit të saj, z. Atilla Kardesh, i cili UM ishte aktiv nga data 10/02/2024 për periudhën kohore në afat prej 6 muajsh.

Vendosja e znj. Latifi nën presion psikologjik përballë ish-bashkëshortit i cili është cilësuar si dhunues me vetë lëshimin e UM, është formë e dhunës psikologjike, e cila e vendos znj. Latifi në pozitë të cenueshme psikologjike, dhe paraqet mundësi të ri-viktimizimit por tani në situatë të presionit psikologjik publik.

Situata me të cilin potencialisht do të përballet znj. Latifi, në praninë e ish bashkëshortit “dhunues” paraqet rast të veçantë, dhe në emër të prioritizimit të mbrojtjes së dinjitetit të një të mbijetuare të dhunës në familje – viktimë, e cila është shprehur publikisht për kërcënimet nga ish bashkëshorti, tashmë të provuara, bëjmë thirrje menaxhmentit të Klan Kosova të tërheqë z. Atilla Kardesh nga formati televiziv, për të parandaluar çfarëdo lloj forme të presionit, ose dhunës psikologjike, që rëndon pozicionin dhe krijon kushte për ri-përjetimin e dhunës nga e mbijetuara znj. Latifi.

Konventa e Stambollit obligon shtetin që të ndërmarr të gjitha veprimet përmes Nenit 13 të Konventës “për të rritur ndërgjegjësimin dhe perceptimin nga publiku i gjerë, në lidhje me manifestimet e ndryshme të të gjitha formave të dhunës të mbuluara nga objekti i kësaj Konvente, pasojat e tyre për fëmijët dhe nevojën për të parandaluar një dhunë të tillë”.

Nisur nga fakti se znj. Latifi dhe ish bashkëshorti i saj kanë dy fëmijë të përbashkët, shprehim shqetësimin tonë, se fëmijët e ish çiftit janë vendosur në rrethanat e rrezikut potencial për viktimizim dhe ri-viktimizim, duke u bërë publikisht dëshmitarë të situatave potencialisht të dhunshme verbale apo fizike, përmes presionit publik i cili do të transmetohet në opinion, dhe kjo do të ketë ndikim negativ në mirëqenien emocionale të fëmijëve.

Media ka rol të pazëvendësueshëm edukimi dhe krijimi në opinion, ruajta e lirisë së shprehjes dhe shprehja e kreativitetit për tërheqjen e shikueshmërinë pa dyshim se është e drejtë e garantuar, mirëpo legjislacioni vendor dhe ai ndërkombëtarë drejtpërdrejtë i zbatueshëm në Republikën e Kosovës, bën përgjegjës edhe median për të siguruar mbrojtje dhe inkurajim të pjesëmarrjes së grave në jetën publike, duke parandaluar çdo formë të diskriminimit apo vënies në situatë të pa lakmueshme përmes mos cenimit të dinjitetit dhe ruajtjes së mirëqenies fizike dhe emocionale.

Konventa e Stambollit Neni 17 “Pjesëmarrja e sektorit privat dhe medias” njeh rolin dhe përgjegjësinë e Medias dhe sektorit privat në parandalimin e çfarëdo lloj dhune ndaj grave citojmë: ‘’Palët nxisin sektorin privat, sektorin e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit dhe medias, në lidhje me lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e tyre, për të marrë pjesë në përpunimin dhe zbatimin e politikave dhe për të caktuar udhëzime dhe standarde vetë rregullatorë për parandalimin e dhunës kundër grave dhe rritjen e respektit për dinjitetin e tyre”.

Prandaj, në cilësinë e Mekanizmit institucional për koordinim mbarëkombëtarë kundër dhunës ndaj grave, me synim të parandalimit të çfarëdo lloj dhune psikologjike, verbale, apo fizike apelojmë tek Menaxhmenti i Klan Kosova të marrë vendim për largimin e z. Atilla Kardesh nga emisioni, me synim të parandalimit dhe mbrojtjes së mirëqenies psikologjike, fizike dhe ruajtjes së dinjitetit të viktimës.

Duke u nisur nga historia e përjetimeve të të mbijetuarës së dhunës, të dëshmuar me ekzistencën faktike të UM në afat prej 6 muajsh, si dhe me rrëfimet e bëra publike nga vetë e mbijetuara, me qëllim të parandalimit të dhunës dhe presionit psikologjik që potencialisht mund të ushtrohet nga ish bashkëshorti prezent në formatin e emisionit, si dhe të parandalimit të presionit publik që mund të ushtrohet nga vetë audienca e emisionit, sepse një qasje e tillë relativizon dhunën ndaj grave, hapë rrugë për shprehje të gjuhës së urrejtjes në diskursin publik, përmes komenteve denigruese që mund ta përcjellin situatën.

Mediat i konsiderojmë si aleatët më të fuqishëm në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe qasja proaktive e tyre për transmetim të programeve mediatike që fuqizojnë rolin e gruas në shoqëri, parandalojnë dhunën ndaj grave duke krijuar ambiente të sigurta dhe jo diskriminuese ndaj grave është imperativ.

Emisioni në fjalë ka audiencë të gjerë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë e vendos publikun dhe shoqërinë në pozitë të ‘’ bashkëfajtorit’’, në kohë reale, të presionit dhe dhunës psikologjike, e cila besojmë që nuk është synim i emisionit dhe politikave redaktoriale të Televizionit.