Lajme

MINT-i zgjat edhe për 30 ditë rregullimin e përkohshëm të çmimeve maksimale të derivateve të naftës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka vendosur të zgjasë edhe për 30 ditë masën për rregullimin e përkohshëm të çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me synimin për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar çmime të drejta në treg.

Sipas njoftimit të ministrisë, vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizimit të të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit të derivateve nuk kanë pësuar ulje.

MINTI thekson se analizat kanë evidentuar se rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen shpejt në tregun vendor, ndërsa uljet nuk përcillen në të njëjtën masë ose ndodhin me vonesë.

Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të përcaktohet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të regjistruar nga Dogana e Kosovës, duke i shtuar 2 eurocentë për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të llogaritet mbi çmimin mesatar të furnizimit plus 12 eurocentë për litër.

Ministria u ka bërë thirrje të gjitha kompanive që tregtojnë derivate të naftës të respektojnë kufijtë e përcaktuar të çmimeve dhe të sigurojnë furnizim të pandërprerë të tregut.

Zbatimi i këtij vendimi do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës./teve1.info/

Të Ngjashme