Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar buxhetin e kryeqytetit për vitin 2026.
Në fillim të seancës, drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, prezantoi strukturën e buxhetit, e cila është e ndarë në pesë kategori kryesore shpenzimesh.
Sipas prezantimit, kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 kap vlerën prej 48.3 milionë euro.
Për mallra dhe shërbime janë ndarë 32 milionë euro, ndërsa shpenzimet komunale arrijnë në 3.5 milionë euro.
Subvencionet dhe transferet janë planifikuar në vlerë prej 6.8 milionë euro, ndërkohë që investimet kapitale kapin shumën më të madhe, prej 60.8 milionë euro.
Pas prezantimit të buxhetit, Makolli kërkoi miratimin e tij nga përfaqësuesit e partive politike.
Buxheti u mbështet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u shpreh se nuk do ta votojë atë.