Lajme

Miratohet raporti i punës i SHSKUK-së

Është miratuar Draft-Raporti i Punës për vitin 2025 i Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës gjatë mbledhjes së 81-të të Bordit Drejtues.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, mbledhja nisi me fjalën hyrëse të Kryesueses së Bordit, Dr. Tetore Olloni, e cila theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit për forcimin e menaxhimit institucional, rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore.

“Ka rrethana kur na duhet kritika, analiza e konkluzione, por edhe të tilla kur duhet të flasim me transparencë për progresin”, u shpreh Olloni, duke nënvizuar se përkundër sfidave janë shënuar rezultate konkrete në disa fusha kyçe.

Në njoftim thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, raportoi për aktivitetet, sfidat dhe prioritetet strategjike të institucionit. Ai bëri të ditur se ka angazhim maksimal për decentralizimin e intervenimeve ortopedike, veçanërisht për protezat e kërdhokullës dhe gjurit, me synim uljen e listave të pritjes. Po ashtu, u njoftua për themelimin e një grupi punues me nefrologë dhe patologë për funksionalizimin e biopsisë së veshkës si nevojë imediate.

Në diskutim u trajtua edhe rritja e rasteve në Klinikën e Onkologjisë, furnizimi me barna përmes Barnatores Qendrore, referimet e pacientëve dhe koha e furnizimit të spitaleve me proteza ortopedike. Bordi kërkoi sqarime për mos-përmbushjen e plotë të disa obligimeve, përfshirë listën esenciale të barnave, e realizuar në 82%, si dhe kërkoi raportim më të detajuar dhe adresim në kohë reale të mangësive.

Sipas të dhënave të prezantuara, është shënuar rritje e ndjeshme e shërbimeve. Në disa klinika të QKUK-së, nga 2 mijë e 128 pacientë të operuar në vitin 2024, në vitin 2025 janë realizuar 3 mijë e 706 operime, që përfaqëson rritje rreth 50%, apo 1 mijë e 806 operime më shumë. Po ashtu, janë realizuar mbi 2 mijë skanime më shumë me rezonancë magnetike (MRI) dhe tomografi të kompjuterizuar brenda një viti, si dhe mbi 20 mijë ekzaminime më shumë në ultrazë dhe EKG krahasuar me vitin paraprak.

Kryesuesja e Bordit ndaloi diskutimin edhe te shërbimet e implanteve dentare dhe ortodoncisë fikse, të cilat nga fundi i vitit 2023 ofrohen si shërbime të rregullta në kuadër të QKUK-së.

“Falënderoj posaçërisht Ministrin e Shëndetësisë për kontributin, duke e konsideruar faktorin meritor që sot këto dy shërbime të mos konsiderohen terapi opcionale e estetike në shëndetësi publike, por të nevojshme e domosdoshme”, theksoi ajo.

Draft-Raporti i Punës për vitin 2025 u miratua unanimisht nga Bordi Drejtues, i cili paralajmëroi se do të kërkojë vlerësim të performancës së menaxhmenteve përmes raporteve të rregullta, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Të Ngjashme