Një sërë simptomash, të cilat për vite me radhë janë konsideruar si shenja paralajmëruese të hipertensionit, rezultuan të mos kishin lidhje me këtë sëmundje. Simptomat që njerëzit zakonisht besojnë se shoqërohen me presion të lartë të gjakut – si dhimbje koke, gjakderdhje nga hunda, nervozizëm, djersitje, çrregullime të gjumit apo skuqje e fytyrës – janë në fakt mite që nuk mbështeten nga asnjë provë shkencore.
Sipas kardiologes dhe specialistes së mjekësisë së brendshme, Dr. Maja Nešović, e cila prej vitesh trajton pacientë me hipertension, këto bindje janë krijuar dekada më parë dhe vazhdojnë të përhapen edhe sot, ndonëse janë hedhur poshtë nga studime serioze. “Në fillim të viteve 1990 mendohej se dhimbjet e kokës ishin të zakonshme tek pacientët me hipertension, por asnjë hulumtim i bërë që nga ajo kohë nuk e ka konfirmuar këtë,” – shpjegon ajo për revistën Stethoscope.
Dhimbje koke
Një nga mitet më të përhapura është se hipertensioni shkakton dhimbje koke. Në fakt, presioni i lartë i gjakut nuk shkakton dhimbje koke, përveç rasteve shumë të rënda që njihen si “kriza hipertensive” – një gjendje që mund të kërcënojë jetën e pacientit. Kjo ndodh vetëm kur rritja e presionit shoqërohet me simptoma serioze si çrregullime të shikimit apo të të folurit.
Studimet e fundit madje tregojnë se njerëzit me hipertension përjetojnë më pak dhimbje koke se të tjerët. Revista shkencore Neurology ka raportuar se në 40 për qind të rasteve, pacientët me presion të lartë të gjakut kanë më pak episode dhimbjeje koke krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.
Gjakderdhje nga hunda
Një tjetër keqkuptim i zakonshëm është se gjakderdhja nga hunda tregon hipertension. Mjekët theksojnë se kjo nuk është e vërtetë, përveç në rastet e krizave hipertensive. Vetëm rreth 17 për qind e pacientëve me hipertension përjetojnë gjakderdhje nga hunda, ndërsa në shumicën e rasteve, shkaku kryesor është ajri i thatë në ambient, fryrja e fortë e hundës apo përdorimi i barnave si Warfarin dhe Aspirinë, që ndikojnë në hollimin e gjakut.
Dr. Nešović këshillon që nëse gjakderdhja nga hunda ndodh më shumë se një herë në javë ose është e vështirë të ndalet, duhet kërkuar ndihma e mjekut, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht hipertension. “Në shumicën e rasteve, gjakderdhja nuk ka asnjë lidhje me presionin e gjakut,” – thekson ajo.
Gjakderdhje në të bardhën e syrit
Edhe gjakderdhjet e vogla në të bardhën e syrit shpesh i frikësojnë pacientët me hipertension, por mjekët thonë se ato janë më të zakonshme tek personat me diabet dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me tensionin e lartë të gjakut. Këto mikro-gjakderdhje ndodhin për shkak të brishtësisë së kapilarëve dhe mund të shkaktohen nga kollitja e fortë, sforcimi apo ndryshimet e papritura të presionit.
Skuqje e fytyrës
Skuqja e fytyrës është një tjetër fenomen që shpesh ngatërrohet me hipertensionin. Në realitet, kjo ndodh kur enët e gjakut në lëkurë zgjerohen për arsye të ndryshme – si ekspozimi ndaj të ftohtit, ushqimet pikante, pije të nxehta, përdorimi i kremrave për kujdesin e fytyrës apo edhe stresi emocional. Gjithashtu, tek personat me diabet ose pas konsumimit të alkoolit, ndodh skuqje për shkak të ndikimit të një substance të quajtur polipeptidi vazointestinal (VIP), e cila zgjeron enët e gjakut.
Në të gjitha këto situata, vlerat e presionit të gjakut mund të jenë disi më të larta përkohësisht, por kjo nuk do të thotë se skuqja e fytyrës është shkaktuar nga hipertensioni.
Marramendje (vertigo)
Edhe marramendja shpesh përmendet si simptomë e hipertensionit, por kjo është një tjetër keqkuptim. Vertigoja mund të jetë pasojë e shumë gjendjeve të tjera, përfshirë efektet anësore të disa ilaçeve antihipertensive. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë që marramendja e papritur nuk duhet neglizhuar, pasi mund të sinjalizojë probleme serioze neurologjike ose kardiovaskulare.
“Vrasësi i heshtur”
Në përfundim, ekspertët theksojnë se hipertensioni është një sëmundje pa simptoma të qarta dhe shpesh quhet “vrasësi i heshtur”. Rritja e presionit të gjakut mund të ndodhë për vite të tëra pa asnjë shenjë paralajmëruese, ndërkohë që dëmton arteriet, zemrën, trurin dhe veshkat.
“E vërteta e vërtetë është se hipertensioni është një sëmundje pa simptoma dhe si e tillë është një ‘vrasës i heshtur’. Nëse i injoroni vlerat e larta të presionit të gjakut, duke menduar se për sa kohë nuk keni simptoma nuk ka asgjë për t’u shqetësuar – gaboheni!” – paralajmëron Dr. Nešović.
Mjekët këshillojnë që mënyra më e sigurt për ta zbuluar në kohë këtë gjendje është matja e rregullt e presionit të gjakut, si dhe ndjekja e një stili jetese të shëndetshëm me ushqim të balancuar, aktivitet fizik dhe shmangie të duhanit e alkoolit. Vetëm kështu mund të parandalohet dëmtimi afatgjatë që shkakton hipertensioni në trup.
