Lajme

Mitrovica mbështet 350 studentë me bursa, PDK ka këtë kërkesë

Komuna e Mitrovicës, do të mbështes 350 studentë bursistë me nga 720 euro.

Përveç se komuna ka rritur mbështetjen mujore të bursistëve, ka rritur edhe numrin e studentëve përfitues.

Ndonëse, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, asamblisti i PDK-së, Gëzim Stavileci, ka propozuar që numri i studentëve që përfitojnë nga bursa të jetë pa limit.

“Konkretisht propozoj që numri i bursave në komunën e Mitrovicës të jetë pa limit, e para, dhe e dyta, rregullorja 02/2020 e përcakton në nenin 3 që bursat të jepen vetëm për studentët e fakultetit publik; të shtohet fakulteti privat, po ashtu të jetë viti i parë i masterit dhe doktoraturës dhe të ndahet numri i bursave për doktoraturë edhe master, edhe për komunitetet, ashtu siç ka qenë”- tha Stavileci.

Ndërkaq, kryetari i komunës, Faton Peci, ka theksuar se propozimi i Stavilecit nuk është i bazuar në ligj dhe rregullore dhe nuk mund të miratohet.

Ai ka shtuar se çdo vendim duhet të zbatojë ligjshmërinë, procedurat administrative dhe planifikimin buxhetor.

Ai tha se do të rritet vlera e përkrahjes për studentë në 720 euro.

“Në lidhje me propozimin e fundit, duhet theksuar se ideja nuk është e bazuar në legjislacion dhe rregullore, prandaj nuk ka logjikë. Nuk mund të propozohet diçka që bie në kundërshtim me rregulloren. Së pari, ne jemi të përkushtuar që çdo vendim dhe shpenzim të bëhet duke zbatuar ligjshmërinë, procedurat, aspektet administrative dhe planifikimin buxhetor. Nuk mund të jepen bursa pa limit, sepse kjo do të krijonte mungesë rregulli në institucion. E para, e dyta, na jemi të përcaktuar që vendim dhe shpenzim me pas duke zbatuar ligjshmërinë, procedurën, aspektet administrative, por edhe planifikimin buxhetor. Nuk mundesh me propozua me dhënë bursa pa limit, për shkak se ajo nuk ta krijon ndjesinë e rregullit në institucion, por kuptimin. Unë tash e kuptoj posaçërisht prizmin opozitar se t’i do me dal edhe mirë në opinion tek të rinjtë që do me dhënë bursa pa limit, por nuk ka qeverisje vendime pa limit, çdo vendim duhet me pas limitin dhe çdo çështje duhet me qenë e projektuar. Sa i përket numrit të bursave, krahasim me vitet e tjera, do të thotë që ne kemi një numër më të madh të bursave që do të jepen studentëve. 350 bursa do të jepen për studentët, nga 300 sa kanë qenë në vitin paraprak, dhe përveç se rritet numri i bursave për studentët, do të rritet edhe vlera e përkrahjes, nga 600 e diçka sa ka qenë në 720€ ose 20% rritje në përkrahje të studentëve”, tha Peci.

Më tej në seancën e sotme, kryetari Peci theksoi se Komisioni për vlerësimin e dëmeve për vërshimet e janarit ende nuk ka përfunduar raportin final.

Ai tha se çdo vendim financiar duhet të bazohet në të dhëna të sakta dhe në kornizë ligjore.

Ai theksoi se kompensimi do të realizohet, por vetëm pas përfundimit të raportit zyrtar./KP

Të Ngjashme