Lajme

Mitrovica pas vendimit të Hagës

Në lagjen Bajr në qytetin e Mitrovicës, jeton familja e ngushtë e njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit. Në këtë lagje, flamujt e UÇK-së dhe ata shtetërorë ishin vendosur në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së.

Para shtëpisë së familjes Veseli qëndronin figurat e katër ish-krerëve të UÇK-së; Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Brenda shtëpisë ishte heshtje. Dëgjohej vetëm zëri i kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, teksa lexonte vendimin e Gjykatës Speciale.

Askush nuk lëvizte derisa vendimi u dha. Me shpalljen e aktgjykimit, heshtja u shoqërua me zhgënjim dhe ndjenjë padrejtësie te familjarët dhe qytetarët që kishin pritur vendimin para shtëpisë.

Fjalët mungonin. Ndërsa lajmi për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së u përhap, e njëjta atmosferë u ndje edhe në qendër të Mitrovicës.

Qyteti sot dukej më i heshtur se zakonisht. Në rrugë, sheshe e lokale, vendimi i Hagës la pas një atmosferë të rënduar.

Te qytetarët, lajmi solli zhgënjim, revoltë dhe ndjenjë padrejtësie. Aktgjykimi i Speciales për krerët e UÇK-së shënon një nga ditët më të rënda që nga përfundimi i luftës.

Të Ngjashme