Marks & Spencer (M&S), i njohur prej dekadash për të brendshmet praktike dhe të rehatshme për gratë, ka habitur klientët me produktet e reja të shtuara në dyqanet e tij. Si pjesë e një përpjekjeje për të tërhequr konsumatorë më të rinj, kompania ka nisur të shesë produkte nga marka Ann Summers, përfshirë 19 modele të të brendshmeve pa pjesën e poshtme.
Koleksioni përfshin një paketë me tritanga me dantellë për 20 paund, geta transparente pa pjesën e poshtme dhe komplete të brendshmesh që synojnë një stil më provokues.
Megjithatë, produktet kanë shkaktuar reagime të ndryshme. Nicole Wright, 47 vjeçe nga Londra, tha se u befasua kur reklama për të brendshmet e reja ishte gjëja e parë që pa në telefon herët në mëngjes.
“Në fillim mendova se ishte shaka, por kur hyra në faqen e internetit pashë se po shiteshin vërtet nga M&S. Sigurisht që nuk i shtova në shportën time,” tha ajo.
Edhe Rowan Pelling, ish-redaktore e revistës Erotic Review, tha se britanikët nuk shqetësohen nga preferencat personale të njerëzve për të brendshme të tilla, por shumë nuk duan të përballen me reklama të tilla kur kërkojnë veshje të zakonshme për përdorim të përditshëm.
Debati u përhap edhe në forumin Mumsnet, ku një përdoruese shkroi me humor: “A mund të mbetet qoftë edhe një cep i Anglisë ku të mos përballem me produkte seksi?”

M&S thotë se strategjia e re synon të zgjerojë bazën e klientëve. Në vitin 2024, kompania raportoi se shitjet e të brendshmeve kishin arritur nivele rekord, me një kërkesë veçanërisht të lartë nga brezat Millennials dhe Gen Z, të cilët përbënin rreth një të tretën e shitjeve. Sipas kompanisë, suksesi lidhet pjesërisht me modelet më moderne dhe më të guximshme.
Ekspertja e konsumatorit Kate Hardcastle tha se M&S nuk po shet vetëm të brendshme, por po përpiqet të ndryshojë imazhin e markës. Sipas saj, sfida kryesore është të tërheqë klientë të rinj pa humbur besimin që ka ndërtuar gjatë më shumë se një shekulli.
Bashkëpunimi me Ann Summers shënon një ndryshim të madh në marrëdhëniet mes dy kompanive. Në vitin 2011, M&S kërcënoi me veprime ligjore Ann Summers për një fushatë reklamuese që imitonte një promocion të njohur të rrjetit. Sot, megjithatë, M&S e konsideron Ann Summers pjesë të strategjisë së saj për t’u ofruar klientëve më shumë zgjedhje përmes markave partnere. /Telegraph – Syri.net
