Vetëm dy ditë para ndeshjes Serbi-Shqipëri, mediat serbe janë përfshirë nga paniku pas një deklarate të modeles shqiptare Xhuli Nura, e cila ka bërë bujë në Beograd.
Sipas të përditshmes ‘Kurir’, Nura-e njohur si personazh televiziv në Prishtinë – ka deklaruar në një emision se do të udhëtojë drejt Leskovcit për të ndjekur nga afër ndeshjen, duke shtuar se ka siguruar biletën dhe se posedon pasaportë finlandeze.
Kaq ka mjaftuar që disa media serbe ta cilësojnë këtë si një ‘skandal ndërkombëtar’, duke e interpretuar veprimin e saj si një ‘provokim të qëllimshëm’, ndërkohë që kanë risjellë në kujtesë incidentin famëkeq të dronit në Beograd në vitin 2014.
Në rrjetet sociale serbe reagimet kanë qenë të ashpra, me komente që flasin për ‘provokime të planifikuara nga shqiptarët në stadium’, pavarësisht se autoritetet serbe kanë ndaluar zyrtarisht hyrjen e tifozëve shqiptarë në këtë përballje.
Ndeshja Serbi-Shqipëri, e cila do të zhvillohet në Leskovac, është cilësuar si takim me rrezik të lartë sigurie dhe pritet të luhet nën masa të rrepta kontrolli, pa praninë e tifozëve kuqezi në shkallët e stadiumit.