Morgan Freeman ka ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur një nga asetet e tij më të çmuara: zërin. Aktori fitues i Oscar-it ka punësuar një ekip avokatësh për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të zërit të tij nga Inteligjenca Artificiale, në një kohë kur teknologjia e klonimit të zërave po përhapet me shpejtësi.
Gjatë një interviste në emisionin CBS Mornings, Freeman u pyet drejtpërdrejt për fenomenin e riprodhimit të zërave të aktorëve përmes IA-së. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e qartë: “Kam punësuar avokatë.” Sipas tij, ekipi ligjor tashmë është angazhuar për të kufizuar çdo përdorim të paautorizuar të timbrit të tij karakteristik, ndërsa raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Duke folur për zërin e tij, Freeman theksoi se ai nuk është thjesht dhunti natyrore, por fryt i përgatitjes profesionale: ai ka studiuar vokal dhe recitim, duke punuar ndër vite për ta perfeksionuar. Për këtë arsye, ai e konsideron të papranueshme që teknologjia ta përdorë apo ta imitojë pa leje.
Qëndrimi i tij vjen në një moment kur përdorimi i Inteligjencës Artificiale për klonimin e zërave dhe imazheve ka ndezur debate të forta ligjore dhe etike në industrinë e argëtimit, duke ngritur pyetje mbi pronësinë, identitetin dhe të drejtat artistike në epokën digjitale.
/tiranapost
