Analisti politik Hysamedin Feraj ka kritikuar thirrjet për protesta dhe armatosje në lidhje me Gjykatën Speciale, duke thënë se ato mund të shërbejnë si argument për legjitimitetin e krijimit të saj.
Feraj theksoi se emocionet nuk janë argument dhe se retorika për dhunë mund të dëmtojë më tej kauzën e kundërshtarëve të Gjykatës Speciale.
Postimi i plotë:
Mos e legjitimoni krijimin e Gjykatës Speciale!
SHBA nuk e njeh as Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mes tjerash, sepse ushtarët e saj që mund të kenë kryer, gjatë ose mbas lufte vrasje, që mund te cilësohen si krime, hetohen dhe dënohen nga gjykata e vetë SHBA-ve. Raste ka shumë, pa e zhvlerësuar luftën e SHBA-ve. Shumë shtete veprojnë në këtë menyrë.
Një argument për krijimin e Gjykatës Speciale, siç u krijua, ka qenë se brenda Kosovës, nga prokurorë dhe gjykatës vendor nuk do të mund as te hetoheshin as të ndëshkoheshin persona, anëtarë të UÇK-së që sipas Konventave ndërkombëtare mund të kishin kryer vrasje që konsiderohen krime.
Tani me thirrjet për kalljen e gjithë Kosovës, për armatosjen e popullit etj., duket se po e vërtetojnë atë dyshim dhe argument.
– Nëse janë të gatshëm të kallin Kosovën apo të përdorin armët, sa do ta kishin më të lehtë të kallin prokurorët e gjykatësit apo t’i vrasin ata që mund të hetonin apo të jepnin dënime ndaj personave, akuza ndaj të cilëve nga gjykata do të vlerësohej si e vërtetuar?
Me këtë argument, mes të tjerësh, Gjykata është vendosur jashtë Kosovës. Tani po duket a thua se duan ta vërtetojnë drejtësinë e këtij vendimi!
Ja disa pyetje:
– Do ta kallin krejt Kosovën apo një pjesë të saj? – Do t’i djegin pyjet apo edhe qytetet e fshatrat? Do t’i kallin me gjithë banorët apo mbasi këta t’i kenë nxjerrë nga shtëpitë?
– Kundër kujt do t’i zbraz armët i gjothë populli i armatosur i Kosovës? Brenda Kosovës kundër atyre që krijuan Gjykatën Speciale, apo do të marshojnë me armë deri në Hagë ku do të vrasin prokurorët e gjykatësit, apo madje edhe avokatët e të akuzuarve?
– Apo të gjitha këto fjalë të mëdha janë vetëm mënyra të dëshpruara për mbulimin e fajit të vet si krijues të asaj gjykate dhe si furnizues me argumente se duhej krijuar siç i krijua: nga Kosova, por larg këtyre themeluesve?
Shkurt, emocionet nuk janë argument por dëmtojnë argumente.
