Kuriozitete

‘Mos hyni pas perëndimit!’/ Paralajmërimi i frikshëm në hyrje të fortesës së mallkuar të këtij fshati

Një paralajmërim i pazakontë mirëpret çdo vizitor që afrohet pranë fortesës së Bhangarh në Rajasthan të Indisë: “Hyrja para agimit dhe pas perëndimit të diellit është rreptësisht e ndaluar.”

Ky mesazh i Institutit Arkeologjik të Indisë, i vendosur në hyrje të rrënojave, ka ngritur prej vitesh pikëpyetje, legjenda dhe frikë mes vendasve dhe turistëve nga e gjithë bota. E njohur si një nga vendet më të frikshme në Azi, kjo fortesë mbetet e mbuluar nga mite të errëta dhe histori të pakonfirmuara për fantazma, zëra misteriozë dhe zhdukje të pashpjegueshme.

Fortesa e Bhangarh është ndërtuar nga Madho Singh, vëllai i një gjenerali të njohur, dhe ndodhet vetëm 78 kilometra larg Jaipurit. Megjithëse monument i mbrojtur nga shteti, ajo është kthyer në magnet për të apasionuarit pas paranormales. Tregimet lokale flasin për një magjistar që mallkoi qytetin pas një zemërimi të madh, dhe për zhdukjen e të gjithë banorëve të tij pas një tragjedie të pazbuluar plotësisht.

Edhe pse autoritetet mohojnë praninë e fantazmave, vizitorët që kanë hyrë fshehurazi pas orarit të lejuar tregojnë për ndjesi të pazakonta dhe pamje të çuditshme. Sipas dëshmive në forume dhe blogje, rojet në hyrje shpesh mbyllin njërin sy në këmbim të ryshfetit, duke lejuar aventurierët të sfidojnë ndalimin – një veprim që autoritetet e dënojnë rreptësisht.

Në terrenin e ashpër e të vetmuar që të çon drejt rrënojave, përballesh me një peizazh të heshtur, ndërtesa të braktisura dhe një atmosferë që thuajse të shtrëngon gjoksin. Megjithëse nuk ka prova shkencore për ndonjë aktivitet paranormal, Bhangarh vazhdon të jetojë në mendjet e njerëzve si qyteti i mallkuar, ku hija e një dashurie të pamundur dhe një magjie të zezë nuk është shuar as pas shekujsh.

Edhe sot, vendasit besojnë se ata që kanë hyrë natën nuk janë parë më kurrë. E vërtetë apo thjesht mit? Askush nuk e di me siguri. Por paralajmërimi në hyrje mbetet aty, i qartë dhe i prerë – si kujtesë për ata që guxojnë të sfidojnë të panjohurën.

Të Ngjashme