Lajme

“Mos lejoni që shtetin ta drejtojnë mercenarët e Serbisë!”- Nga SHBA vjen një apel i fortë para zgjedhjeve e 28 dhjetorit!

 

 

 

Lista serbe do të drejtojë përsëri për katër vjetët e ardhshme komunat me shumicë serbe në Mitrovicë, tre vjet pasi ishte larguar nga institucionet e Kosovës.

Kryetarët e rinj bënë betimin me simbole dhe ligje të Kosovës.

Megjithatë, u raportua se pas ceremonisë së betimit Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Milosh Peroviq, ka larguar flamurin e Kosovës dhe fotografinë e presidentes Vjosa Osmani nga zyra e tij. Kjo të paktën u pa në një fotografi të publikuar nga Lista Serbe në Instagram, ku simbolet shtetërore dhe fotografia e presidentes mungojnë në prapavijë.

E për Hafiz Shalën anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Lista “serbo‐shqipfolëse” me këtë veprim të saj e shfaqi qëllimin e vërtetë, ndërsa opozita po i fërkon duart.

“Kryetari i Zubin Potokut, sipas direktivave të Listës serbo-shqipfolëse, i largoi simbolet shtetërore – flamurin dhe fotografinë e Presidentes – nga objektet zyrtare të Kuvendit Komunal, pas 26 vitesh të çlirimit të Republikës së Dardanisë, me qëllim që ta kthejë gjendjen në kohën e bandave dhe grupeve terroriste “Rojat e Urës”. Kjo është kërkesë e përfaqësuesve të LDK-së për “kthim në gjendjen e mëparshme”, që “të ketë paqe e qetësi”, si në vitin 2013 me fusnotë. Me këtë veprim po vërtetohet reagimi me arsye i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për moscertifikimin e kësaj organizate, e cila ka vepruar si strukturë terroriste, në parti politike, pa hetuar të kaluarën e saj.

Kam dyshimin tim se kjo është bërë qëllimisht dhe e paramenduar në bashkëpunim mes Listës serbo-shqipfolëse dhe opozitës, për t’ia mohuar Kryeministrit Kurti rezultatin e shtrirjes së sovranitetit, duke e arsyetuar atë si “të paqëndrueshëm” dhe duke pretenduar se “në veri të Mitrovicës nuk ka ndryshime””, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se mosrespektimi i simboleve shtetërore është njëkohësisht mosrespektim edhe i vetë Republikës së Kosovës.

“Kryetarit të Zubin Potokut duhet t’i dërgohet një njoftim me shkrim, duke i bërë me dije se ato simbole duhet të kthehen menjëherë aty ku kanë qenë, brenda 48 orëve, përndryshe pushteti qendror duhet të kërkojë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale për shkarkimin e kryetarit të sapo zgjedhur, i cili ka shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës. Kjo njëkohësisht duhet të jetë vërejtje edhe për tri komunat e tjera. Këto komuna nuk janë në territorin e Serbisë, prandaj duhet të zbatohen ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Dardanisë, ku jetojnë dhe veprojnë për të realizuar të drejtat e tyre si çdo qytetar tjetër, pa marrë parasysh nacionalitetin.

Kush është ai individ që nxjerr ligje antikushtetuese në kokë të vet?”, pyet autori i 5 librave që në fokus kanë zhvillimet në Kosovë.

Shala thekson se këto provokime nuk janë të rastësishme në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe se të njëjtat kanë për qëllim që të paraqitet gjendja si jo stabile dhe e paqëndrueshme nën qeverisjen e Albin Kurtit.

“Nëse shtrohet pyetja se a duhet vepruar në mbrojtje të Republikës së Dardanisë, këtu nuk duhet të ketë kurrfarë kompromisi.

Veprimet e tilla të Listës serbo-shqipfolëse, lidhur me mosnjohjen e shtetit sovran, janë strategji, politikë dhe qëndrim i saj si organ i Serbisë që vepron në koordinim të plotë. Prandaj kthimi i flamurit dhe fotove zyrtare është i panegociueshëm”, shprehet ai.

Sipas Shalës, ëndrrat e Serbisë dhe Listës serbo-shqipfolëse u shuan me rastin e miratimit paraprak të Ligjit mbi Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA – National Defense Authorization Act), pas aprovimit në Kongres dhe me pritjen e miratimit nga Senati për vitin fiskal 2026, kur edhe do t’i dërgohet Presidentit për dekretim. Me rëndësi të veçantë është seksioni për Ballkanin Perëndimor dhe Dardaninë (Kosovën).

“Së pari, SHBA-të përkrahin Dardaninë (Kosovën) dhe vendet e tjera të rajonit në integrimin e tyre drejt NATO-s dhe BE-së.

Së dyti, SHBA-të përkrahin dialogun me Serbinë të bazuar në njohje reciproke.

Së treti, SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve të Ballkanit.

Kjo është një garanci e qëndrueshme nga miku dhe shpëtimtari ynë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, pas këtij vendimi të SHBA-ve, rreziku për humbjen e pjesës veriore nuk qëndron, përveç pengimit të funksionimit të shtetit – tentim ky që deri tani ka qenë i pasuksesshëm. Kushdo që vjen në pushtet nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të Kushtetutës së Republikës, duke i larguar rreziqet e dakorduara më parë mes Thaçit, Vuçiqit, Edi Ramës dhe opozitës serbo-shqipfolëse, e cila që në fillim ishte pajtuar me ndarjen e veriut, korrigjimin e kufirit ose faljen e 17 fshatrave – dhuratë e Rankoviqit – që më në fund do të bie poshtë”, potencon anëtari i LQSHA.

Shala shfaq kureshtjen për të ditur se çfarë ka biseduar ambasadori evropian me kryetarët e komunave veriore, sa i përket bashkëpunimit real me organet qendrore lidhur me integritetin, tërësinë territoriale dhe sovranitetin në tërë territorin.

“Nuk e di nëse është biseduar për përbërjen e kësaj Liste, përfshirë largimin e individëve të përfshirë në veprimtari kriminale e terroriste ndaj forcave të KFOR-it, mediave të informimit dhe sidomos në sulmin terrorist të Banjskës dhe në kanalin Ibër-Lepenc. Pa pastrimin e kësaj Liste, paqe dhe bashkëjetesë nuk do të ketë”, thekson ai .

Duke e përmbledhur gjithë qëndrimin e tij, Shala në fund bën thirrje që më 28 dhjetor populli të votojë sërish për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me qëllim të shpëtimit të vendit nga ndikimi i Serbisë në punët tona të brendshme.

“Jam shumë i bindur se populli nuk e ka humbur vetëdijen kombëtare dhe shtetërore për të sjellë në pushtet njerëz të cilët bënë ndryshimin historik në të mirën e shtetit dhe popullit, sikurse dy liderët – Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti – të cilët do të jenë në krye të detyrës në mbrojtje të Republikës së Dardanisë ashtu siç vepruan në mandatin e parë. Me shpresë dhe bindje se edhe në mandatin e dytë do t’i prijë këtij populli në rrugën euro-atlantike. Prandaj nga mërgimi mbi tri dekada e gjysmë ju bëj apel: Mos lejoni që atdheun ta drejtojnë mercenarët e Serbisë, të cilët kanë hyrë në obligime të vetëkrijuara dhe të dëmshme për atdheun, duke e sjellë veten në pozitën e të shantazhuarve nga e cila nuk mund të çlirohen.

28 dhjetori është para derës – shansi për ta shpëtuar shtetin nga ndikimi dhe përzierja e armikut tonë shekullor, Serbisë, në punët tona të brendshme dhe politikën tonë afatgjatë kombëtare”, përfundoi ai.