Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez, i cili mbeti i vrarë me thikë pak ditë më parë në Ksamil, pas një konflikti pranë klubit “Principote”.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dëshminë e Adib Ghanmi, shtetas francez dhe mik i viktimës, i cili ka rrëfyer para hetuesve momentet e konfliktit dhe mënyrën se si ndodhi përplasja.
Sipas Ghanmi, ai ndodhej bashkë me gjashtë persona të tjerë në klub, ku po festonin. Pas përfundimit të festës, grupi ishte zhvendosur në plazh, ku sipas dëshmisë së tij, është afruar një person i veshur me rroba të shkurtra jeshile.
“Kam qenë me shokët e mi, shtatë persona dhe po festonim në klub “Principote” dhe pasi mbaroi festa ne po rrinin në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frengjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: pse më shan, se nëna është e shenjtë. Më pas ky person e goditi me kokë, ne u futem të gjithë në konflikt…”, ka deklaruar ai.
Ghanmi tregon se më pas në vendngjarje ka ardhur një tjetër person, i veshur me të bardha dhe me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë.
“Më pas ka ardhur një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tim, i cili u vra me thikë ne zemër. Në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security, të cilët nuk jam i sigurt nëse u futën në konflikt pasi personin që qëlloi me kokën, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë”, ka rrëfyer dëshmitari.
Pas ngjarjes, prokuroria e ka pyetur Ghanmi nëse do të mund ta njihte personin që kishte goditur me thikë viktimën. Ai ka deklaruar se do të ishte në gjendje ta identifikonte nëse do ta shihte.
Sipas dosjes, më pas prokuroria i ka paraqitur atij fotografinë e Sokrat Vatës. Ghanmi e ka identifikuar Vatën si personin që, sipas dëshmisë së tij, goditi me thikë Luis Miguel Varela Mendez.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe rolit të personave të tjerë që ndodheshin në vendngjarje në momentin e përplasjes.
