Lajme

​“Mos qofsha në lëkurën e tij”, Kërçeli replikon me opozitën

Në sallën plenare po vazhdon seanca e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për çmimet e energjisë elektrike.

Edhe pas pauzës, po vazhdojnë replikat mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të partive opozitare.

Fillimisht, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli tha se Prokuroria duhet të hetojë çdo pretendim të opozitës lidhur me energjinë.

Kërçeli: I lutem prokurorisë të hetojë çdo pretendim të opozitës

“Na keni akuzuar edhe për lidhje me NOA-n. I lutem prokurorisë të hetojë cdo pretendim të opozitës për lidhjet e kompanisë NOA me Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo, kishte me qenë shumë mirë të shikoni se kush ka nënshkruar kontratë për herë të parë me kompaninë NOA me 9 maj 2019, në mes të KEK-ut dhe kompanisë NOA. Do të ishte mirë ju vet deputetë të hulumtoni dhe të postoni në ato rrjetet e juaja sociale qysh po postoni të pavërteta. Qitash të tregoj krejt një nga një. Kontrata e dytë me NOA-n është nënshkruar më 11 tetor të vitit 2021, pikërisht nga një zyrtar i cili ka shërbyer në ZRrE, e i cili është votuar gjatë qeverisjes së LDK-së dhe është deleguar gjatë qeverisjes së LDK-së”, tha ai.

Tutje, në seancë të jashtëzakonshme, Kërçeli tha se LDK-ja është mirë të na tregojë se familjari i cilit deputet ka lidhje me pronarin e ETMT-së.

Kërçeli: Të na tregojë LDK-ja se familjari i cilit deputet ka lidhje me pronarin e ETMT-së

“Nga vitit 2008 deri në vitin 2013, 141 milionë euro kanë shkuar për Vukhamoviqin që po e përmend deputetja Ymeri, por nuk po kthehet në kronologji mbrapa se institucionet publike gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë blerë dhe nuk kanë bërë kurrfarë marrëveshje me kompanitë e Vukhamoviqit… Është mirë të na tregojë LDK-ja se familjari i cilit deputet ka lidhje familjare direkt me pronarin e ETMT-së. Këtë është mirë të na tregojë LDK-ja, sepse e kanë në grup parlamentar”, tha ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri tha se për këto pretendime i është drejtuar Prokurorisë Speciale.

Ymeri: Është mirë të konsultohet se çka është megavati, vati, se edhe ministren nuk e keni inxhiniere

“Është i njoftuar [deputeti Kërçeli] që kam qenë në Prokurori Speciale, ne nuk jemi me llafe të korridoreve, ne jemi institucionalistw. Edhe kjo e ka aktivizuar Prokurorinë Speciale për tw reaguar. Deputet Kërçeli qe unë po të tregojë diçka tjetër: unë nuk e kam hiç bezdi që t’i publikojë kontratat më herët se vitin 2020 se atëherë nuk ka pasur pavarësi energjetike. Është mirë bre me u konsultu se çka është megavati, çka është vati, se edhe ministren nuk e keni inxhiniere. Po ani nuk ka lidhje, nuk prish punë”, u shpreh ai.

Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli vazhdoi replikat me deputeten Ymeri.

Kërçeli-Ymerit: A e keni pyetur deputetët e LDK-së se kush e ka nënshkruar kontratën me Vuk Hamoviqin?

“Në fjalimin tim as nuk përmenda megavat, as gigavat, asnjërën prej këtyre dyjave që ju replikuat pa bazë sepse i keni mësuar veç disa terme përmendësh dhe tash po mundoheni të përvetësoni këtë temë. Veç një pyetje e kam për ty e nderuara deputete, a i keni pyetur kolegët e LDK-së kush e ka nënshkruar me Hamoviqin kontratën gjatë shpalljes së pavarësisë, a i ke pyet ndonjëherë. Pyeti të tregojnë se kush e ka filluar këtë bashkëpunim me Vuk Hamoviqin. Pikërisht LDK, zonja Bajrami besoj keni qaq memorie institucionale se keni qenë edhe ju në qeveri”, tha ai.

Këtu ka replikuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i tha Kërçelit që po lexon fjalim që ia shkruar dikush tjetër.

Tahiri për Kërçelin: Mos qofsha në lëkurën e tij, ta lexojë një fjalim që ia kanë përgatitur

“Kriza energjetike ka filluar pikërisht prej kohës kur Albin Kurti është kryeministër i Kosovës. e shumë fatkeqësi për institucionet, për shtetin, për shoqërinë është që sfida dhe përkeqësimi i në situatën me energji elektrike ka shkuar vit pas viti duke u vështirësuar e duke u cenuar shumë e më shumë. Andaj mos qofsha në lëkurën e tij ta lexojë një fjalim që ja kanë përgatitur edhe të tentojë të mbrojë një skandal abuzues e korruptiv, një nga skandalet më të mëdha që nga paslufta që është skandali me energji elektrike”, përfundoi ai.

Këtu ka replikuar sërish deputeti i shumicës parlamentare, Ilir Kërçeli.

Kërçeli-Tahirit: Ka aftësi të përdor nja 30 fjalë pa nevojë në fjalim, si me i shkru me chat gpt

“E di që është vështirë ta kuptojë këtë fjalim zotëri Tahiri. Ai e ka një aftësi të përdor nja 30 fjalë pa nevojë gjatë fjalimit të tij, ta merr mendja që i ka shkruar me chat gpt, tjera herë koncentrohu dhe dëgjojë fjalimet mirë”, përfundoi ai. 

Të Ngjashme