Lajme

“Mos u mërzit, pas meje ti e ke radhën”, pse e shantazhoi Marklen Haka Drejtorin e Policisë së Tiranës?

Në datën 4 shtator, u publikua lajmi se SPAK kishte filluar një operacion të rëndësishëm arrestimesh. Ky operacion dështoi atë ditë, por u finalizua tre ditë më pas me arrestimin e të shumë kërkuarit, Marklen Hakaj. Për të mos patur dekonspirim, SPAK, mbajti informacionin të fshehtë nga pjesa dërrmuese të anëtarëve të RENEA-S, ndërsa në Policinë e Shtetit askush nuk e dinte drejt kujt drejtohej ky aksion. Pas arrestimit, Marklen Haka, në momentin që ishte në oborrin e policisë së Tiranës, koinçidoi me vet drejtorin e Tiranës Tonin Vocajn. Pamjet filmike të këtij momenti të regjistruara nga mediat, tregonin se Marklen Haka diçka i tha Tonin Vocajt. Media spekuloi sikur Haka e kishte sharë dhe ofenduar me fjalor vulgar Vocajn, është informuar nga dëshmitarë okularë të këtij momenti dhe ka mësuar se në fakt, Marklen Haka nuk e ka fyer Tonin Vocajn, por e ka shantazhuar atë në mënyrë mafioze, shkruan Hashtag.

“Mos u mërzit, se pas meje ti e ke radhën”, kjo është faza ekzakte që Markelen Haka i tha Vocajt gjatë përballjes. Ndërsa mbetet e paqartë se çfarë ka pasur në mendje Marklen Hakaj me këtë frazë drejtuar Vocajt. Por kush është Marklen Haka? Marklen Haka, 33-vjeçari i cili shpëtoi nga një atentat që iu bë në Nikël dy vjet më parë u arrestuar me 6 Shtator. Marklen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në skedarët e policisë ai rezulton i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që ka qenë objektiv i dy sulmeve me armë. Ai i shpëtoi edhe një atentati në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha, e cila mbrojti nipin me trupin e saj. Ndaj të riut u qëllua me 100 plumba, ndërsa Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu. Mariglen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit N.Z, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.

I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar. Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie. Me një vendim të datës 9 prill 2019, Gjykata e Krujës e dënoi Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të 2019.