Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë zyrtarisht me kandidatin e saj për këtë pozitë – Glauk Konjufcën, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Kjo duke konfirumar moskandidimin e presidentes Vjosa Osmani edhe për një mandat të dytë.
Ky zhvillim ka nxitur reagime të mëdha, ku me këtë rast u vunë në pah edhe përçarjet në raportet Kurti-Osmani.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
Sipas tij, është gabim strategjike dhe do sjellë pasoja politike, moskandidimi i Osmanit për presidente edhe për një mandat të dytë.

Mirsad Voca
Ai konsideron se, Osmani e ka dëshmuar veten në mandatin e saj të parë me punën dhe përfaqësimin dinjitoz që ia ka bërë Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Vendimi për të mos e mbështetur kandidaturën e Vjosa Osmani për një mandat tjetër presidencial përbën, sipas mendimit tim, një gabim strategjik me pasoja politike. Osmani ka dëshmuar gjatë mandatit të saj një përfaqësim dinjitoz dhe të konsoliduar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar presidencën si një institucion aktiv në politikën e jashtme, pikërisht në një periudhë kur diplomacia e drejtuar nga Qeveria në arenën ndërkombëtare mungonte pothuajse tërësisht. Në një moment kur Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe kredibilitet ndërkombëtar, vazhdimësia do të ishte zgjidhja e vetme dhe më racionale”, deklaroi ai.
Sipas Vocës, përgjegjës për këtë vendim është kryeministri Kurti dhe LVV, derisa tha se po rrezikohet dhe dëmtohet pluralizmi i brendshëm demokratik.
“Eliminimi i saj nga gara nuk është thjesht një çështje personale apo partiake; ai reflekton një logjikë të brendshme pushteti që shpesh vendos interesin politik afatshkurtër mbi interesin shtetëror. Në vend që të ndërtohet mbi kapitalin diplomatik të krijuar, u zgjodh një qasje përjashtuese që dobëson kohezionin institucional dhe mesazhin e unitetit që Kosova duhet të dërgojë jashtë.
Përgjegjësia për këtë vendim bie mbi lidershipin aktual, përfshirë Kryeministrin Albin Kurti dhe subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje. Kur politika shndërrohet në përqendrim ekskluziv të kontrollit, rrezikohet balanca institucionale dhe dëmtohet pluralizmi i brendshëm demokratik. Shteti nuk ndërtohet mbi eliminime politike, por mbi bashkëpunim dhe respekt institucional”.
Ndër të tjera, ai shtoi se, shteti ynë ka nevojë për figura unifikuese dhe që kanë kredibilitet në skenën ndërkombëtare.
Për këtë, konsideroi se, interesat e shtetit duhet të jenë mbi interesat partiake.
“Në fund, kjo nuk është çështje simpatie apo antipatie politike. Është çështje vizioni për Republikën e Kosovës. Në një realitet rajonal dhe ndërkombëtar të ndërlikuar, Kosova ka nevojë për figura që përfaqësojnë unitet, maturi dhe kredibilitet ndërkombëtar. Çdo vendim që dobëson këtë kapital duhet të rishqyrtohet me seriozitet, sepse interesat e shtetit janë mbi interesat e çdo subjekti politik”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
