Java e ardhshme do të fillojë me mot më të paqëndrueshëm dhe reshje lokale shiu, ndërsa nga dita e enjte pritet stabilizim gradual i kushteve atmosferike, me më shumë diell dhe rritje të temperaturave.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se me hyrjen në stinën astronomike të verës, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat gjatë fillimit të javës do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave konvektive, reshjeve lokale të shiut dhe shkarkimeve të rrufeve.
Këto reshje janë të mirëpritura për sektorin e bujqësisë, pasi kontribuojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore.
Të hënën do të mbajë mot i vranët me intervale me diell. Gjatë ditës, vranësirat parashihen të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale: 13–16°C, kurse ato maksimale: 26–29°C.
Të martën parashihet mot i vranët me intervale me diell.
Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale: 13–16°C, kurse ato maksimale: 26–30°C.
Mot i ndryshueshëm dhe jostabil do të jetë të mërkurën.
Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale: 13–16°C, ndërsa ato maksimale 27–31°C.
Të enjten parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Kushtet atmosferike do të jenë më të qëndrueshme, me gjasa të vogla për reshje. Temperaturat minimale: 13–16°C, kurse ato maksimale: 27–32°C.
Dita e fundit e javës, e premte do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për aktivitete në natyrë.
Temperaturat minimale: 13–16°C, maksimalet: 27–33°C./teve1.info/
