Lajme

Mot me vranësira dhe shi, si pritet të jenë temperaturat

Kalimi i një sistemi frontal nga Mesdheu drejt Ballkanit do të kushtëzojë në territorin shqiptar mot të paqëndrueshëm, ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante. Më të theksuara në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore, ku priten edhe rrebeshe të izoluara. Herë pas here do të ketë intervale me kthjellime.

Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të vijojë më vranësira dhe shira në të gjithë territorin e vendin, ku nuk përjashtohet dhe mundësia për breshër në zona të izoluara në Jug – Juglindje të territorit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie si në orët e mëngjesit edhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore 6°C minimalja deri në 26°C vlera maksimale.

Era do të fryjë kryesisht mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi permanent verior. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim 2 – 3 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës përgjatë 24 orëshit do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta të cilat hera herës do të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe shiu. Më të theksuara reshjet paraqiten në zonat kufitare me Shqipërinë. Parashikohet që edhe pasditja të vijojë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 6°C deri në 22°C. Era do të fryjë mesatare paradite por deri e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi verior dhe veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Përgjatë ditës së enjte; republika e MV do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke sjellë vranësira dhe reshje të dendura shiu, ku më të theksuara reshjet do të jenë në zonat perëndimore dhe jugperëndimore. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të sjellin shpeshtim të vranësirave dhe rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të MV. Temperaturat e ajrit do të pësojnë renie gjatë orëve të mëngjesit por ulen ndjeshëm edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 6°C deri në 23°C. Ndërkohë parametri i erës do të paraqitet mesatare dhe herë pas here e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi permanent verior.

Europa

Rajoni i Balltikut si edhe Europa Lindore do të përfshihen nga tjetër sistem i dendur vranësirash, të cilat do të sjellin reshje të dendura shiu e dëbore në zona të izoluara. Gjithashtu me mot të paqëndrueshëm do të dominohet gadishulli Apenin, gadishulli i Ballkanit si edhe brigjet greke, ku priten vranësira të shpeshta të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere ndërsa nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku kthjellimet dhe temperaturat e larta do të jenë prezente paraqiten përkatësisht ishujt britanikë, gadishulli iberik si edhe Europa qendrore.