Lajme

Moti vjen me surpriza/ Të nxehtit ekstrem po i vjen fundi, ja kur pritet të zbresin temperaturat

Vala e të nxehtit afrikan që solli në Shqipëri temperatura deri në 43 gradë C, tashmë është drejt largimit. Temperaturat kanë nisur të bien dhe nuk pritet të kalojnë mbi 40 gradë.

Javën që vjen vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme dhe pak më të freskët, për shkak të tërheqes së Anticiklonit Afrikan dhe ai i Azoreve.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti pritet të jetë fillimisht i kthjellët si dhe vranësira në shtim nga orët e mesditës e pasdites kryesisht në relievet kodrinore malore të vendit. Vranësirat do të pasohen nga reshje e shiu të cilat pritet të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.

Përjashtim bënë dita e Premte ku moti pritet të jetë i kthjellë e me vranësira të pakta deri në mesatar nga orët e mesditës përgjatë relieveve të larta malore. Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe me intensitet të ulët.

Era me drejtim kryesor veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 2-9m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave era hera –herës fiton shpejtësi 10-14m/sek, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i 1-3 ballë.