Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) ka publikuar kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Kosovë, në kuadër të fushatës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Menaxhimin e Automjeteve.
Fushata informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026, pas së cilës do të fillojë zbatimi praktik i ligjit.
Kriteret për leje qëndrimi të përhershëm
Për të përmbushur kushtet për marrjen e lejes, një person duhet të ketë:
5 vjet qëndrim të pandërprerë në Kosovë, përveç rasteve të ribashkimit familjar përmes martesës ose bashkëjetesës, ku kërkohen 3 vjet qëndrim të pandërprerë.
Të miturit me qëndrim të përkohshëm mund të marrin leje qëndrimi të përhershëm nëse njëri nga prindërit ka leje qëndrimi të përhershëm, me pëlqimin e prindit tjetër.
Njohuri elementare të njërës nga gjuhët zyrtare dhe njohje të kulturës dhe rendit shoqëror të Kosovës (tregohet me test të shkruar nga MPB).
Përjashtime nga testi i gjuhës:
Fëmijët parashkollorë
Personat që kanë përfunduar arsimin fillor, të mesëm ose të lartë në Kosovë
Personat mbi 65 vjeç nëse nuk janë të punësuar
Të huajt, gjuha amtare e të cilëve është një nga dy gjuhët zyrtare të Kosovës
Dokumentet e nevojshme për leje qëndrimi të përhershëm
Qytetarët e huaj duhet të paraqesin:
Dokument udhëtimi të vlefshëm
Dëshmi se nuk janë dënuar në Kosovë
Dëshmi për lidhjen e martesës (nëse aplikohet)
Dëshmi për mjete financiare për jetesë
Sigurim shëndetësor
Dëshmi për strehim të siguruar
Për personat me lirimin nga shtetësia e Kosovës:
Dokument udhëtimi i vlefshëm
Dëshmi se nuk është nën hetime (nga vendi i origjinës ose shteti i vendbanimit të fundit, e përkthyer në gjuhën zyrtare)
Vendim për lirimin nga shtetësia e Kosovës
Për vazhdimin e kartelës së lejes së qëndrimit të përhershëm:
Pasaportë e vlefshme
Dëshmi se nuk është dënuar në Kosovë
Sigurim shëndetësor
Vërtetim për adresën e vendbanimit
Taksat për lejen e qëndrimit të përhershëm
Për qëllime pune: 100 euro
Për ribashkim familjar: 70 euro
Për lirimin nga shtetësia: 50 euro
Për humbje, dëmtim ose ri-pajisje: 10 euro
