Lajme

​MPJ jep edhe disa detaje për takimin Konjufca- Spiropali

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës dha edhe disa detaje për takimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Në komunikatë thuhet se takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, duke riafirmuar përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, ministrat u përqendruan në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, intensifikimin e koordinimit në fushën e politikës së jashtme, si dhe në forcimin e kapaciteteve diplomatike dhe përfaqësimit ndërkombëtar të të dy shteteve.

Në këtë kuadër, u vlerësua progresi i arritur përmes mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit dhe u theksua rëndësia e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të përbashkëta.

Ministri Konjufca shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe konsekuente të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Theks i veçantë iu kushtua mbështetjes së Shqipërisë për avancimin e integrimit evropian të Kosovës, duke filluar nga shqyrtimi i aplikimit për anëtarësim në Bashkimi Evropian, drejt fitimit të statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

Gjatë takimit u diskutua edhe koordinimi i ngushtë në funksion të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, afrimit drejt Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO, si dhe rritjes së rolit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë bashkëpunimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt realizimit të aspiratave të kombit shqiptar” u shpreh ministri Konjufca.

“Të dy ministrat riafirmuan përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës, në shërbim të interesave strategjike të dy shteteve, stabilitetit rajonal dhe perspektivës së tyre evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës.

Të Ngjashme