Kuriozitete

Mund të jetë zakon i keq, por kush ha thonjtë ka prirje të jetë i përsosur

Zakoni i keq i ngrënies së thonjve është i përbashkët për shumë njerëz. Por, çuditërisht shkencëtarët thonë se të tillët, janë shumë kreativë dhe profesionistë, nuk mund të rrinë dot në një vend pa kryer diçka.

Sipas studimeve të botuara në revistën “Journal of Behavior Therapy and Experimental Psychiatry Attention”, të gjithë ata që hanë thonjtë, kruajnë kokën, pickojnë lëkurën e tyre apo bëjnë veprime të tjera të përsëritura të tilla, nuk duhet të shqetësohen.

Sjelljet e tilla të përsëritura që bëjmë shpesh, në dukje si të shpifura, shkaktojnë në fakt një përfitim mbi trurin.

Prandaj, koha kur ata duhet të rrinë diku të ulur e të presin, nuk është thjesht çështje mërzie apo çrregullime të humorit, kjo sjellje do të thotë për ta humbje e madhe kohe dhe këtë stres të akumuluar ata mundohen ta çlirojnë duke u marrë me diçka, siç është ngrënia e thonjve për shembull.

“Ne besojmë se njerëzit me këtë lloj sjelljeje të përsëritur mund të jenë perfeksionistë, çka do të thotë se ata janë të paaftë për t’u rehatuar apo performuar në një ambient normal për njerëz të tjerë, tha profesor Kieron O’Connor nga Universiteti i Montrealit.

Prandaj ata janë më të prirur drejt frustrimit, padurimit dhe pakënaqësisë kur nuk arrijnë qëllimet e tyre. Perfeksionistët, gjithashtu e përjetojnë në nivel më të mërzinë’, shtoi ai.

Përse duhet t’i jepni fund ngrënies së thonjve?!

Arsyet për të gjetur një zgjidhje, për të mos ngrënë më thonjtë, janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Para së gjithash, duart me thonjtë e ngrënë nuk janë aspak estetike; së dyti, vazhdimësia e këtij problemi mund të shkaktojë shumë dëme shëndetësore. Rreziku i parë është ai i shfaqjes së infeksioneve, sepse nëpërmjet duarve, në gojë çojmë mijëra mikrobe. Rreziku i dytë është ai i problemit me dhëmbët dhe në fund deformimi i vetë thonjve.