Lajme

Murat Jashari refuzon postin e presidentit: Familja Jashari i takon gjithë shqiptarëve

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se nëse një emër nga familja e heroit kombëtar Adem Jashari do të propozohej për president të Kosovës, kjo do të përbënte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Megjithatë, një kandidaturë nga familja Jashari nuk pritet të ndodhë.

Murat Jashari, në një prononcim për VOXKosova, ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e presidentit.

Ai ka theksuar se familja Jashari “i takon gjithë shqiptarëve” dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime politike të zakonshme.

Moneytizer Paragrafi 4

Sipas tij, një përgjegjësi e tillë do të mund të merrej parasysh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si në rast të ndonjë lufte civile apo situate që kërkon unitet dhe sakrificë kombëtare, por jo në kushte normale politike.

“Runa Zot, naj luftë civile, naj rreziku të madh kombëtar, ku cënohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam unë mos me sakrifiku për këtë vend, ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, theksoi ai.

Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, për të shmangur zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i vjen fundi më 4 prill.

Osmani aktualisht nuk duket se ka mbështetjen e mjaftueshme parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa emra të tjerë potencialë nuk janë zyrtarizuar, ndonëse afati po afrohet.




Të Ngjashme