Lajme

Murati: FMN-ja tregon se Kosova ka shënuar rritjen më të shpejtë ekonomike

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Kosova gjatë mandatit aktual ka shënuar rritjen ekonomike më të shpejtë në rajon, teksa ka theksuar se vendi më herët kishte qenë në fund të listës gjatë qeverisjes së partive opozitare.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se “kur qeverisnin partitë e bllokut opozitar, Kosova ishte fundit në listë sipas të dhënave të FMN-së”, ndërsa shtoi se kjo nuk po përmendet nga opozita.

Sipas tij, pavarësisht pengesave të vazhdueshme nga opozita dhe krizave globale, qeveria ka arritur që Kosovën ta bëjë, siç tha, vendin me rritjen ekonomike më të shpejtë se të gjitha vendet tjera.

“A ka mjaftuar tempo më e shpejtë e rritjes që ne të dalim më lartë se shumë shtete tjera për vetëm një mandat? Normalisht që jo, sepse e kemi trashëguar një ekonomi të dërrmuar nga keqmenaxhimi i partive të vjetra, ekonomi që ishte në fund të listës. Mirëpo duke u rritur më shpejt se të tjerët, kemi arritur ta ngushtojmë diferencën me shtetet tjera, si dhe të mos jemi më vendi i fundit në tabelë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri i Financave shtoi se qytetarët duhet të vendosin nëse duan “një qeveri që vazhdon punën e mirë dhe vazhdon ngritjen e Kosovës në ranglistën botërore”, apo siç u shpreh “kthimin në pushtet të atyre që pasuroheshin për vete ndërsa shteti kishte mbetur në fund të secilës listë”.

Sipas tij,“qytetarët e patën treguar vullnetin e tyre me votë më 28 dhjetor, porse siç tha “blloku opozitar vendosi të mos e pranonte rezultatin dhe ta dërgonte vendin edhe njëherë në zgjedhje që i kushtojnë ekonomisë qindra miliona euro humbje”.

Ndërkohë, dje sipas të dhënave të paraqitura nga platforma WorldAtlas, e të cilat thotë se i ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kosova renditet e dyta si vendi më i varfër në Evropë.

Sipas WorldAtlas renditja mat GDP-në për person sipas barazisë së fuqisë blerëse të shprehur në dollarë. Në përshkrimin për Kosovën thuhet që ka ekonomi të vogël dhe të orientuar kryesisht nga sektori i shërbimeve, ku ndërtimtaria, tregtia dhe remitencat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik.

Të Ngjashme