Lajme

Murati: Ndarja e mjeteve për RTK-në ishte e pamundur për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka uruar Ditën e Forcës dhe ka folur për mbështetjen buxhetore të ushtrisë dhe të RTK-së.

“Mund ta them me krenari, se si qeveri nuk kemi kursyer asnjëherë kur ka ardhur puna për ndarjen e buxhetit dhe për mbështetjen e ushtrisë tonë, e që po besoj që me hapa shumë të shpejtë po merr formën e një ushtrie moderne, ndoshta më moderne në rajon,” u shpreh Murati, duke vlerësuar avancimin e FSK-së.

Ai gjithashtu komentoi ndarjen e mjeteve për punëtorët e RTK-së, duke e cilësuar këtë si një improvizim të detyruar për shkak të mosformimit të Komisionit të Buxhetit nga partitë opozitare.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ndarja e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka qenë e pamundur deri më tani për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare që duhej të miratonin alokimin.

“Sa i përket ndarjes së mjeteve, ishte pritur që këtë ta kryente Kuvendi. Por PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë refuzuar kategorikisht, dhe nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të themelohej Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili është përgjegjës për miratimin e alokimit të buxhetit për RTK-në. Për shkak të këtij dështimi, si qeveri na është dashur të sigurojmë mjetet nga burime të tjera buxhetore për të garantuar funksionimin e RTK-së, në vend që të përdorej buxheti i paraparë me ligj,” ka thënë Murati.

Ai ka theksuar se ky veprim ka qenë një masë emergjente, duke u bazuar në situatën aktuale ku Kuvendi nuk ka kryer detyrën e tij ligjore për të miratuar ndarjen buxhetore.