Lajme

Murati: Rama në vend se të kërkojë fajtorin, të përqendrohet në kryerjen e punëve që ka premtuar

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas akuzës së kryetarit Perparim Rama se Qeveria nuk po e mbështet për projektet madhore të kryeqytetit.

Murati ka thënë se Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse sipas tij nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton.

Ai po ashtu ka publikuar një grafikon në të cilin siç ka thënë paraqitet mbështetja buxhetore që Qeveria i ka dhënë Komunës së Prishtinës nëpër vite.

“Grafikoni më poshtë paraqet mbështetjen buxhetore që Qeveria i ka dhënë Komunës së Prishtinës nëpër vite (me ngjyrë të kaltër). Siç edhe mund të shihet, ka rritje të theksuar të mbështetjes me buxhet nga Qeveria në tri vitet e fundit. Por ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro. Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte për shkak të mos-realizimit. Andaj, Kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqëndrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve.

TS Poll - Loading poll ...

Ndryshe, kryetari i Prishtinës Perparim Rama të enjten në një konferencë për media e akuzoi Qeverinë e Kosovës se disa projekte po mbesin pa u funksionalizuar në mungesë të përkrahjes.

“Çështja tjetër e cila ka qenë sfidë edhe vazhdon është unaza e kryeqytetit, jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Kosovën duke marrë parasysh edhe projektin e Lojërave Mesdhetare. Projekti është i gatshëm dhe vazhdon të qëndroj si një projekt i pa përkrahur nga qeveria përkundër që ka 40 për qind të buxhetit. Kosova është e varur nga buxheti 49 për qind vjen nga Prishtina”, tha ai.