Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ka fajësuar kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani për bllokadën institucionale në vend.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Musliu ka deklaruar se bllokadat që nga dhjetori kanë qenë të panevojshme dhe, sipas saj, janë bërë për të mbuluar politikat e dobëta qeverisëse dhe për arsye personale.
“PDK-ja ka qenë plotësisht e angazhuar që vendi të mos përballet me bllokada, pasi çdo bllokadë që nga dhjetori deri më sot ka qenë e panevojshme dhe është përdorur për të mbuluar politikat e këqija të Albin Kurtit gjatë kësaj periudhe, si dhe për të plotësuar egon e tij dhe, në këtë rast, edhe të Vjosa Osmanit”, ka thënë ajo.
Ajo e ka cilësuar situatën si një skenar të qëllimshëm, duke theksuar se çështja e presidentit është përdorur për të larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.
“Nuk është e mundur që një kryeministër dhe një presidente të mos i dinë procedurat për zgjedhjen e presidentit. Kjo është një situatë e planifikuar dhe një skenar që po vazhdon. Nuk ka pasur fare nevojë për bllokadë. Ajo është krijuar me vetëdëshirë dhe për ego personale. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e Kosovës janë shumë të qarta, ndërsa ne sot ndodhemi në këtë situatë për shkak të inateve personale të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Debatet e tilla i konvenojnë vetëm Kurtit. Bllokada është bërë për të mbuluar paaftësinë dhe keqqeverisjen, si dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët”, ka theksuar Musliu.
E pyetur për raportet mes Kurtit dhe Osmanit, ajo tha se përplasjet mes tyre nuk lidhen me parime, por me interesa personale për pushtet.
“Ata nuk janë prishur për parime apo çështje të rëndësishme shtetërore, por për interesa personale, njëri dëshiron të vazhdojë pushtetin, ndërsa tjetri të ketë kontroll të plotë edhe në qeveri edhe në presidencë”, ka përfunduar Musliu.
