Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, në një konferencë për media ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë mbi raportimin e medieve mbi skandalet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, sipas së cilës, lidhen me keqpërdorimin e dokumenteve zyrtare të qytetarëve dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Musliu-Shoshi ka thënë se dëmi që u është bërë qindra mërgimtarëve nga “dështimi i MPJ-së” është i pallogaritshëm.
“Pikërisht kur menduam se të paktën kjo javë do të kaloj pa një skandal qeveritar mediet fatmirësisht publikuan dy afera të MPJ-së. 406 pasaporta, 165 letërnjoftime, 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve tanë janë humbur në postën diplomatike të RKS-së. Siç mësohet tenderi për shpërndarjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme të qytetarëve tanë që jetojnë në mërgatë i ishte dhënë një kompanie me çmim shumëfish të shtrenjtë, hiç më pak se 6 herë më të shtrenjtë. Dëmi që u është bërë qindra qytetarëve tanë që jetojnë në mërgatë, të cilët kanë shumë vështirësi me të cilat përballen, është i pallogaritshëm. Si pasojë e këtij dështimit të punës së MPJD shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten e shumë plane të tyre do të prishen”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Ministria e Jashtme dje (e premte) ka njoftuar se ka shkëputur kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike shkaku i “vonesave të papranueshme në dërgimin e dokumenteve”. Në raportimet e medieve është thënë se qindra dokumente të mërgimtarëve janë humbur në postën diplomatike të Kosovës, kurse Gërvalla e ka mohuar një gjë të tillë./teve1.info/