Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për zgjidhjen e çështjes së presidentit, por vetëm për, siç tha ai, lojëra politike.
Sipas Mustafës, Kurti nuk ka pasur synim arritjen e një marrëveshjeje me opozitën, por zvarritjen e procesit për përfitime politike.
“Këto ditë u konfirmua se Albin Kurtit nuk i janë dashur emrat e propozuar nga PDK për të bërë zgjidhje, por për të bërë lojëra politike. Ne e kemi lexuar me kohë këtë dhe nuk ia kemi dhënë atë mundësi. Ai asnjëherë nuk ka qenë i interesuar të gjejë zgjidhje për presidentin, por ka qenë i interesuar të blejë kohë dhe të presë deri në fund, për t’i vënë në presion partitë opozitare me shpresën se do të lodhen dhe do t’i japin mundësinë që të zgjedhë një president siç dëshiron ai”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se, sipas tij, opozita ka vepruar drejt në këtë proces, duke mos i dhënë hapësirë një skenari të tillë dhe duke mbrojtur demokracinë.
“Ne këtë nuk ia kemi dhënë dhe mendoj se partitë opozitare kanë bërë gjënë e duhur, sepse kanë ruajtur demokracinë dhe kanë shmangur kapjen e shtetit nga një person që duket se nuk ka kufi”, ka përfunduar Mustafa.
