Lajme

Mustafa për rritjen e pensioneve: Jo serioze, abuzim me resurse shtetërore në kohë fushate

Jo serioze edhe të pamjaftueshme e ka vlerësuar rritjen prej 20 përqind të pensioneve nga Qeveria e Kosovës për pensionistët dhe kategorive tjera, Agron Mustafa, anëtar i kryesisë së PDK-së.
Ai ka thënë se Qeveria në kohë fushate mori një vendim të tillë i cili nuk i ndihmon asnjë pensionisti.

“Vendim jo serioz. Kemi një qeveri që ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për përmirësimin e jetës edhe të pensionistëve dhe për 4 vite nuk bëri asnjë lëvizje, ku gjatë kësaj periudhe dhe çmimet e produkteve bazike u dyfishuan dhe në fund në kohë të fushatës vjen një rritje prej 20%. Kujt do t’i ndihmojë kjo rritje”, tha Mustafa në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ai ka thënë se vendimi është abuzim me resurse shtetërore në kohë të zgjedhjeve.

Mustafa tha se Qeveria Kurti po e përfundon mandatin pa përmirësuar jetën e asnjë kategorie të qytetarëve.

“Kemi një qeveri që po e përfundon mandatin pa lënë asnjë gjurmë në përmirësimin e jetës të asnjë kategorie të qytetarëve. Kjo qeveri, këta njerëz që po udhëheqin vendin po jetojnë jashtë realitetit.

Sipas vendimit të Qeverisë nga ky muaj të gjithë pensionistët dhe disa kategori do të marrin 20 euro më shumë pension.

Ndërsa, për disa kategori të tjera si ajo për veteranët e luftës, rritja do të ndodhë nga janari i vitit të ardhshëm.