Lajme

Mustafi: Shqiptarët e Luginës të kënaqur të bëhen pjesë e FSK-së e assesi pjesë e ushtrisë së Serbisë

Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, tha se të rinjtë shqiptarë të Luginës së Preshevës janë të gatshëm për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës [FSK] dhe jo ushtrisë serbe, pavarësisht thirrjeve.

Mustafi në TV Dukagjini deklaroi se të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës po largohen nga vendi i tyre shkaku për mosmarrjen pjesë në ushtrinë e Serbisë.

“Ngjalli shumë frikë të madhe dhe tmerr. Pasi ne po përballemi me largimin e shumë të rinjve nga Lugina e Preshevës. Por marrë parasysh edhe masat siç është pasivizimi i adresave ku Komiteti i Jasingut e ka cilësuar si spastrim etnik me mjete administrative. Kjo veçse e shton edhe një masë tjetër për detyrimin e qytetarëve të Luginës, respektivisht të rinjtë të largohen nga aty”.

“Qytetarët e Luginës së Preshevës janë shumë të gatshëm të marrin pjesë në FSK e assesi e Ushtrisë serbe. Ku kjo e fundit cilësohet se ka kryer krime dhe ka qenë dhe është armiqësore ndaj Kosovës”, u shpreh Mustafi.

Ndryshe javën e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.

“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një ditë më parë kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, kishe deklaruar se qeveria serbe është gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.