Lajme

Naftëtarët paralajmërojnë falimentimin e disa pikave të karburantëve në Kosovë

Pas vendimit të Qeverisë për përcaktimin e çmimeve të derivateve, ka reaguar Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, duke e cilësuar këtë masë si të dëmshme për bizneset në vend.

Sipas tij, situata aktuale në treg është e pafavorshme për kompanitë, pasi çmimi i importit për dizelin ka arritur në 1.86 euro për litër, ndërsa të njëjtin çmim janë të detyruara ta aplikojnë edhe në shitje.

“Çmimet e derivateve sillen në Kosovë: Dizelli 1.86, Benzina 1.44. Çmimi i importit për Dizell : 1.86. Ky vendim është duke u respektuar, por është i gabuar dhe po i dëmton bizneset. Disa pika të karburanteve mund të bankrotojnë”, ka deklaruar Berjani për IndeksOnline.

Berjani ka theksuar se, ndonëse vendimi po respektohet, ai është i gabuar dhe po i dëmton rëndë bizneset, duke rrezikuar që disa pika të karburanteve të shkojnë drejt falimentimit.

Ai shton se një praktikë e tillë, ku bizneset blejnë dhe shesin me të njëjtin çmim, nuk haset në vendet e tjera.

Pas takimeve dhe presionit nga Shoqata e Naftarëve, është kërkuar që Qeveria ta rishqyrtojë urgjentisht këtë vendim. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave të tjera, përfshirë edhe protesta.

“Pas një takimi dhe presioni u kërkua që të ndryshohet ky vendim ose të protestohet”, ka shtuar ai.

Vendimi i Qeverisë vjen në kuadër të përpjekjeve për të kontrolluar luhatjet e çmimeve në tregun e derivateve dhe për të mbrojtur konsumatorët nga rritjet e papritura, megjithatë ai po kundërshtohet nga përfaqësuesit e bizneseve që e konsiderojnë të paqëndrueshëm për sektorin.

Të Ngjashme