Lajme

Nagavci: Dhuna në shkolla është e papranueshme, siguria nuk është opsion por obligim

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me rastin e dhunës të ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

Sipas saj, shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt, e bazuar në respekt, dialog dhe mirëkuptim, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Nagavci theksoi se rastet e dhunës nuk prekin vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin shkollor, prindërit dhe gjithë komunitetin, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve.

Ajo theksoi se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve është proces i përbashkët mes shkollës dhe prindërve, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.

Ministrja bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, ndërsa çdo rast duhet të raportohet në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA).

Mosraportimi i rasteve, sipas saj, përbën shkelje të obligimeve institucionale.

Nagavci theksoi se Drejtoritë Komunale të Arsimit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e masave ligjore, duke paralajmëruar se çdo neglizhencë apo mosveprim përbën dështim institucional.

Pas raportimeve në media për rastin në fjalë, Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë duke dalë në terren, ndërsa të gjitha gjetjet do të trajtohen pa kompromis në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

“Ndalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Siguria në shkolla nuk është opsion, është obligim”, ka theksuar Nagavci, duke shtuar se Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e mirëqenies dhe sigurisë në procesin arsimor./teve1.info/

Të Ngjashme