Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është distancuar nga deklaratat e deputetit të kësaj partie, Fatos Geci, i cili në seancën e Kuvendit kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Nagavci, duke komentuar këtë çështje, theksoi se qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për luftën çlirimtare janë të njohura dhe të pandryshuara.
“Besoj janë të ditura qëndrimet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK-së, janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe ne respektojmë përpjekjet e të gjithë të rënëve për liri, të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë e vendit,” ka deklaruar Nagavci.
Deklaratat e Gecit kanë nxitur reagime të ashpra, pasi ai bëri një krahasim mes ish-presidentit Thaçi dhe Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat,” kishte deklaruar Geci në Kuvend.
Pas këtyre deklaratave, reagime të ashpra pati edhe nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke e cilësuar krahasimin si të papranueshëm.
