Lajme

Nagavci në CybHER Boot Camp, mbështet vajzat në sigurinë kibernetike

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e CybHER Boot Camp me pjesëmarrjen e 150 nxënëseve të shkollave të mesme nga mbarë Kosova.

Sipas ministrisë ky është një aktivitet që synon fuqizimin e vajzave të reja në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë.

“Në këtë aktivitet po marrin pjesë 150 nxënëse të shkollave të mesme, të përfshira në klubet e sigurisë kibernetike, të cilat gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar aftësi teknike dhe kompetenca jetësore si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, bashkëpunimi dhe vetëbesimi në hapësirën digjitale”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në fjalën e saj, Nagavci theksoi se projekti CybHER është shumë më tepër sesa një iniciativë edukative, duke e cilësuar atë si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ajo inkurajoi nxënëset që të besojnë në potencialin e tyre dhe të ndjekin rrugën akademike dhe profesionale që dëshirojnë, duke theksuar se gjinia dhe prejardhja nuk përcaktojnë aftësitë dhe ambiciet e tyre. Ministrja në detyrë falënderoi British Council, Ambasadën Britanike, shkollat, arsimtarët dhe partnerët për angazhimin e vazhdueshëm, si dhe nxënëset për energjinë, përkushtimin dhe guximin e treguar”, theksohet ndër të tjera.

Të Ngjashme